Bekë Muslijaj (15.05.1941 – 10.05.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit, ishte veteran i arsimit i cili ra në krye të detyrës për mbrojtjen e atdheut.
Jeta dhe familja
Bekë Muslijaj u lind në një familje me tradita atdhetare, në fshatin Shaptej, komuna e Deçanit. Babai i Bekës, Sadriu, kishte arritur të shpëtonte në masakrën e Tivarit, ku më 1 prill 1945, në mënyrë barbare ushtria çetnike serbo e malazeze ekzekutoi me armë zjarri e me armë të ftohta mbi 3700 burra shqiptarë duarthatë, të mobilizuar dhunshëm e me mashtrim për ta përzënë ushtrinë e mundur naziste nga Mali i Zi e viset tjera të Jugosllavisë së dalur nga Lufta e dytë Botërore.
Historitë e babait për masakrën e Tivarit dhe për padrejtësitë e regjimeve pushtuese, ndikuan në formimin e personalitetit të veteranit të arsimit Bekë Muslijaj, i cili për 37 vjet me radhë arsimoi brezat e rinj.
Veprimtaria
Dëshmori Bekë Muslijaj filloi punën si mësues në vitin 1961, në shkollën fillore “Drita” në Gramaçel, ndërsa më vonë i vazhdoi studimet e larta në SHLP “Bajram Curri” në Gjakovë pa shkëputje nga puna dhe diplomoi në drejtimin Biologji-Kimi. Një kohë ishte edhe drejtor i kësaj shkolle,.
Me fillimin e luftës çlirimtare në Kosovë, mësuesi Bekë Muslijaj u angazhua dhe e përkrahu atë me shumë vullnet dhe dëshirë. Mori pjesë në vijat e frontit në Prejlep, Shaptej, Biteshe, etj.
Rënia heroike
Më 10 maj 1999, veterani i arsimit, Bekë Muslijaj, së bashku me Ukë Beçirajn dhe rapsodin Lan Dobra, të vetëdijshëm për rrezikun që i priste, ishin nisur për t’i tërhequr trupat e katër dëshmorëve: vëllezërve Muslijaj dhe Rifat Beqirajt (të cilët kishin qenë edhe nxënës të mësuesit Bekë Muslijaj) nga vendi i rënies. Në këtë mision të shenjtë, në këtë përpjekje, ranë në altarin e atdheut, eshtrat e të cilëve u gjetën pas përfundimit të luftës, në vendin e quajtur Shavare, mes fshatrave Gramaçel e Shaptej.
Historia e familjes së veteranit të arsimit, Bekë Muslijaj nuk mbaron këtu. 64 ditët e bashkëshortes së heroit, Hatmanja me dy vajzat e saj, në pranverën e vitit 1999, mbijetuan luftën në malet e Shaptejt. Mungesën e ushqimit, e kompensuan me barishte e rrënjë, për t’i shpëtuar barbarisë dhe poshtërimit serb. Gati dy javë pas përfundimit të luftës, ato u gjetën në gjendje shumë të rëndë, duke mos pasur informacion për kapitullimin dhe tërheqjen e forcave serbe nga Kosova.
Pas rënies heroike
Fillimisht, trupi i dëshmorit Bekë Muslijaj, më 3 korrik 1999, është varrosur me në varrezat e fshatit Shaptej, e më pas, më 10 dhjetor 2008, u rivarros në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan.
Në shenjë nderimi për sakrificën dhe heroizmin e dëshmorit, figura e tij është nderuar me mirënjohje të shumta nga Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, Organizata e Veteranëve të Luftës, Komuna e Deçanit, etj.