Ky website është ende në proces të punës!

Besim Sh. Sopa

Besim Sopa (04.12.1980 – 03.6.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili përkundër kushteve të mira të jetesës, zgjodhi të linte të gjitha pas dhe t’i përkushtohej luftës për çlirimin e Kosovës.

  • Jeta dhe familja

Besim Sopa u lind më 4 dhjetor të vitit 1980, në fshatin Gjyrkoc të Komunës së Shtimes, nga prindërit Shyqriu dhe nëna Sadija. Ata kishin edhe katër fëmijë të tjerë, Sulltanin, Sebahaten, Valbonën, Lumnijen, Ajshen dhe Zejnepen.

Besimi mësimet e para i mori në shkollën e fshatit të tij të lindjes, ndërsa për shkollën e mesme e vijoi në Shtime. Babai i tij, Shyqriu, ishte i punësuar në Zvicër dhe kështu kishte krijuar kushte të mira jetese për familjen e tij, duke i siguruar kështu jo vetëm mundësi për jetë të mirë, por edhe mundësi për shkollim të mëtejshëm. Kur Besimi përfundoi shkollën e mesme, Ushtria Çlirimtare e Kosovës po rritej në të gjitha rajonet e vendit dhe kështu ai vendosi që të linte si prioritet të dytë studimett, sepse kishte vendosur t’i bashkohej radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

  • Veprimtaria

Më datë 1 janar të vitit 1999, Besim Sopa kishte shprehur gatishmërinë për të kontribuar në luftën e UÇK-së, me ç’rast edhe i ishte bashkuar pikës së UÇK – së, në fshatin Risinoc. Pas disa javësh, ai u vendos në Njësitin Diversant – Vëzhgues, “Arbëri”, në fshatin Pjetërshicë, në pjesën jugore të Drenicës.

Besim Sopa ishte përkujdesur që të mbante të dokumentuar gjithçka që po zhvillohej, nga luftimet e sulmet e ashpra e deri tek ndjenjat e tij përgjatë ditëve të luftës. Në fletoren e tij ai kishte përshkruar aksionet e UÇK-së kundër forcave serbe dhe ato që kishin për qëllim kryesor mbrojtjen e civilëve të pafajshëm të strehuar nëpër malet e asaj zone. Ai kishte përshkruar edhe brengën e tij për gjendjen dhe sigurinë e familjes së tij dhe në fletore kishte shkruar në lidhje me çdo lajm që kishte pranuar.

Sipas shënimeve që i kishte lënë në ditarin e tij, Besimi ka marrë pjesë në shumë aksione, përfshirë kontrollin e vazhdueshëm në Blinajë, Risinoc, Krojmir, Pjerështicë, Zboc, Godanc e Carralevë, pastaj aksionin për mbrojtjen e civilëve në Zonën e Nerodimes, aksionet ushtarake në Blinajë, në relacionin Varigoc-Zllakuçan-Godanc, minimin e vendit të quajtur “Varri i Sefës”, ku rëndom depërtonin forcat ushtarake serbe.

  • Rënia heroike

Dita e fundit që Besimi kishte mbajtur shënime në ditarin e tij ishte 1 qershor e vitit, ku ai kishte treguar se kishte shkuar në Krojmir së bashku me komandatin e Njësitit “Arbri”, Ilir Qeriqin dhe me bashkëluftëtarët e tij, Sejdiun, Xhavitin dhe Hesetin, kur edhe kishin vendosur një minë antitank, nga depoja e municioneve në kazermën serbe në fshatin Magurë.

Në ditarin e dëshmorit Besim Sopa, ditën e rënies së tij e ka shënuar komandanti i Njësitit Diversant – Vëzhgues “Arbri”, Ilir Qeriqi. Ai shkroi se më datë 3 qershor të vitit 1999, grupi i ushtarëve që kishte qenë në Zborc, ku ishte pjesë edhe Besimi, kishte hasur në pritë të armikut, ku edhe kishte filluar menjëherë shkëmbimi i zjarrit.

Një grup i ushtarëve të UÇK-së kishte arritur të kthehej në bazë për të kërkuar përforcime, por kur bashkëluftëtarët arritën tek vendi ku ishte hapur zjarr, ishte gjetur trupi i pajetë i Besimit, i cili ishte tërhequr nga shokët e luftës dhe ishte dërguar në Pjetërshticë.

Të nesërmen, më 4 qershor, trupi i dëshmorit Besim Sopa u dërgua në varrezat e fshatit Kleçkë, ku është varrosur me nderime ushtarake.

  • Pas rënies heroike të dëshmorit Besim Sopa

Familja e dëshmorit Besim Sopa ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK – së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së dhe nga shoqatat e dala nga lufta.

Në fshatin e tij të lindjes, në Gjyrkoc, i është ngritur lapidari dhe po ashtu një rrugë e fshatit mban emrin e tij.