Ky website është ende në proces të punës!

Bislim L. Zekolli

Bislim Zekolli (18.05.1953–23.08.1998) ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse aktivitetin e tij në mbrojtje të atdheut, e kishte filluar njëri ndër të parët, duke lënë Zvicrën për atdhe e liri.

  • Jeta dhe familja

Bislim Zekolli u lind në Bllacë të Therandës (ish-Suharekë). Ishte biri i katërt i Latifit dhe Faziles, nga gjithsej 14 fëmijët që patën.

Bislimi shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shkollën e daktilografisë e kreu në Prizren. Ai asnjëherë nuk u punësua në drejtimin që përfundoi në Kosovë. Pas vdekjes së vëllait të tij të madh, ai mori rrugën e mërgimit.

Bislimi shkoi te vëllai Qamili, me të cilin jetonte në Bruksel dhe i cili ishte i kërkuar nga UDB-ja, për arsye se merrnin pjesë në demonstratat që organizoheshin nga organizatat ilegale.

Ata ishin gjithmonë në rendin e parë të protestës me veshje kombëtare dhe flamuj në dorë.

Bislimi vendosi të kthehej në Kosovë përgjithmonë në fund të vitit 1988, duke lënë punën dhe luksin në Zvicër, nga malli që kishte për atdheun dhe familjën e tij.

Në vitet e ’90-ta, Bislimi mori pjesë në shumë pajtime të gjaqeve. Ai, sē bashku me babain Latifin dhe vëllezērit e tij, bënin thirrje që të rinjtë të ktheheshin në Kosovë.

Bislimi la pas vetes bashkëshortën Hamiden, djemtë Aliun, Dritonin e Besartin dhe vajzat Teutën, Lirinë, Malësoren dhe Pranverën.

  • Veprimtaria

Dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një shpresë për të gjithë popullin e Kosovës, kështu Bislimi pa hezituar, në mars të vitit 1998, së bashku me dy vëllezërit e tij, Rizahun dhe Zenelin, si dhe me disa bashkëluftëtarë nga Bllaca, të cilët u armatosën me armët e tyre, shkuan në Likoc dhe ranë në kontakt me krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Ismet Jasharin, Fatmir Limajn, e me shumë luftëtarë të tjerë.

Pas mësimit dhe ushtrimit që i morën aty, u kthyen në Bllacë dhe formuan njësitin ilegal të UÇK- sē “Këpuca”. Bislimi ishte një djalë shumë i zgjuar, ai mblodhi shumë djem nga fshatrat përreth, duke iu dhënë informimin e drejtë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, gjë që ngjalli shpresat për liri, ku në  maj të vitit 1998, ky njësit ishte rritur për nga numri dhe u bashkua me njësitet “Lumi” dhe “Çeliku”.

Bislimi së bashku me vëllezërit dhe shokët e tij, kishin marrë një bojler dhe në punëtorinë e vëllaut të tij Destanit, e kishin mbushur me tritol në fshatin Duhël. Rasti i shpërthimit të këtij bojleri-minë, më 25 qershor 1998, forcat serbe i zuri në befasi, duke ua hedhur në ajër një autotenkë ruse T52 me gjithë ekipin e ushtarëve serbë.

  • Rënia heroike

Më 23 gusht 1998, në mëngjesin e hershëm, fshati Bllacë granatohet nga të tria anët (nga Qafa e Duhlës, nga qendra e Duhlës dhe nga Biraqi), nga forcat armike serbe, të cilat e organizuan këtë sulm me gjithë artilerin që kishin. Kygranatim, luftëtarët e lirisë i gjeti në istikame. Luftimet zgjatën tërë ditën. Papritmas, Bislimi pa që vëllai i tij Destani së bashku me luftëtarët e tjerë ishin të rrezikuar, ishte futur në thellësi të pozicioneve të forcave armike, te Shelgjet e Bllacës, ku nga aty luftonte kundër forcave armike për t’i dalë në ndihmë vëllaut të tij, kështu duke i zmbrapsur forcat armike. Ushtria serbe nuk kurseu arsenalin që kishte dhe nga gjuajtjet prej lagjes Bajraktari me armët antiajrore si pajisje të të ashtuquajturave “Praga”, Bislimi mori plagë vdekjeprurëse dhe ra heroikisht në vijë të frontit.

Heroi Bislim Zekolli arriti të shpëtonte nga rrethimi i ushtrisë serbe vëllain e pestë, Destanin, i cili ishte vetë i gjashti te Shelgjet e Bllacës, të cilët luftuan për 13 orë rresht kundër forcave armike serbe. Këto luftime vazhduan edhe tri ditë rresht nga bashkëluftëtarët e tij besnikë.

  • Pas rënies heroike

Pas rënies së Bislimit, djali i tij, Dritoni që ishte vetëm 18-vjeçar, mori armët dhe iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në mbarim të luftës.

Me urdhrin e lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, me 1 janar të vitit 1999, Brigada 121 mori emrin e dëshmorit Ismet Jashari-Kumanova dhe një kompani e saj mori emrin e dëshmorit Bislim Zekolli.

Dëshmori Bislim Zekolli u varros në Bllacë nga bashkëluftëtarët e tij, në mesnatën e datës 25-26 gusht 1998 nëpër krisma pushkësh. Pas luftës është rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve të brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”, në Kleçkë.

Më 7 mars 2017, presidenti i asaj kohe i Republikës së Kosovës “Për sakrificë dhe trimëri për lirinë e Kosovës i dha Urdhërin “Hero i Kosovës”, pas shumë mirënjohjeve të dhëna nga shoqatat e dala nga lufta.

Në vendilndjen e Bislimit është ngritur lapidari për tetë dëshmorët e rënë në Bllacë, si dhe një prej rrugëve kryesore të fshatit Bllacë mban emrin e tij.