Burim Mustafaj (06.10.1977 – 06.06.1999), ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit.
Jeta dhe familja
Burim Mustafaj u lind në fshatin Gllogjan, komuna e Deçanit, në një familje me tradita patriotike, e cila asnjëherë nuk u pajtua me regjimin serbosllav në Kosovë.Dhe nuk kurseu asnjë djalë të kësaj familje që ishte për pushkë.
Prindërit e dëshmorit, Sadik dhe Mejreme Mustafaj, kishin gjashtë fëmijë: katër djem dhe dy vajza. Burimi ishte fëmija i dytë në familje.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesme në Irzniq.
Veprimtaria
Si i ri, Burim Mustafaj mori pjesë aktive në demonstratat, revoltat dhe protestat që u organizuan në Deçan dhe gjetiu. Në betejën e 24 marsit 1998 që u zhvillua në Gllogjan, Burim Mustafaj nuk u gjend në shtëpi. Duke u kthyer nga Deçani, në Beleg takoi njerëzit e vendlindjes duke u tërhequr nga luftimet. Kur e mësoi të vërtetën, rrufeshëm u nis për në Gllogjan. Në pamundësi për të hyrë në fshat nga forcat e mëdha serbe, dha kontribut në tërheqjen e popullatës civile. Ishte kjo dita kur ranë tre dëshmorët e parë në Gllogjan: Agron e Gazmend Mehmetaj dhe Himë Haradinaj.
Shtatë ditë më vonë, më 1 prill 1998 Burim Mustafaj u sistemua në radhët e UÇK-së. Është kjo koha kur bijtë më të mirë të Gllogjanit rrokën armët në luftë kundër regjimit serb. Në ballë të tyre ishin vëllezërit: Ramush, Shkëlzen dhe Daut Haradinaj.
Pas thyerjes së forcave serbe më 24 mars, në radhët e luftëtarëve u gjend edhe Burim Mustafaj, në Njësitin Intervenues, me komandant Enver Halilajn. Ishin këta 20 luftëtarët më të mirë, të cilët u stërvitën dhe shumë shpejt e përvetësuan artin luftarak. Më 21 prill Burimi u gjend në vijën e parë të frontit në Baballoq, ku qëndroi disa ditë, deri në vendosjen e pozicioneve të UÇK-së karshi pozicioneve të forcave serbe. Mori pjesë në Betejën e Shaptejt dhe në vendosjen e pikave në frontin e Rastavicës. Edhe në luftën e Prejlepit, Burim Mustafaj u gjend ndër të parët, kur nga forcat e UÇK-së u bllokua udhëkryqi për 15 ditë rresht.
Meqë tregoi shkathtësi, komandanti Ramush Haradinaj e emëroi Burimin udhëheqës rruge për në Shqipëri në ballë të 400 luftëtarëve për t’u furnizuar me armë. Në betejën e gushtit, Burimi ndodhej në pozicionet e UÇK-së në Shaptej, përballë pozicioneve serbe që ndodheshin në Sukë të Biteshit, ku u dallua për trimëri. Pas tërheqjes, më 13 gusht, Burimi me luftëtarët u gjend në vijën e frontit në Dodaj të Irzniqit, ku pas një sulmi të shpejtë që organizuan forcat e UÇK-së, mu te shkolla e Irzniqit, forcat serbe u kthyen.
Më 16 gusht Burimi, bashkë me luftëtarin Florim Mustafaj dhe të tjerë, u kthye në Gllogjan. Me urdhër të Ramush Haradinajt përsëri u vendosën pikat mbrojtëse për Shtabin e Dukagjinit në Gllogjan. Burimi u tregua shumë aktiv në betejën e 7 shtatorit 1998, sidomos në ruajtjen e pozicioneve, të cilat, forcat serbe i kishin mësyer nga të gjitha anët. Luftë heroike u zhvillua deri në mbrëmje. Të nesërmën, më 8 shtator, luftëtarët takohen në fshatin Broliq me komandantin Ramush Haradinaj dhe 17-18 luftëtarët që kishte me vete, ku pas një lufte të ashpër me forcat serbe, bëhet një tërheqje e përgjithshme e luftëtarëve nga kazerma e Prapaçanit nën komandën e Tahir Zemajt. Më 10 shtator Burim Mustafaj bashkë me komandantin Ramush Haradinaj dhe 16 luftëtarë të tjerë, me mundime depërtojnë deri në Jabllanicë të Dushkajës, ku e ngritën flamurin kombëtar në Shtabin e Jabllanicës. Këtu, ai, së bashku me komandantin Shkëlzen Haradinaj dhe luftëtarët e tjerë, luajtën rol vendimtar në zgjerimin e pozicioneve të UÇK-së në Dushkajë.
Gjatë kësaj kohe Burimi merr pjesë në betejën e Kralanit dhe të Maznikut.
Më 17 dhjetor pozicionet e UÇK-së u sulmuan nga tri anë nga forcat serbe dhe shqipfolësit që u ndodheshin pranë. Në këtë ballafaqim printe Shkëlzen Haradinaj i shoqëruar nga luftëtari Burim Mustafaj, e të tjerë. Forcat serbe hyjnë në drejtim të Kanalit të Radoniqit për ta zënë shtegun në hyrje të Liqenit. Ky njësit bllokoi forcat serbe. Ndërkohë vjen në ndihmë Ramush Haradinaj me luftëtarët nga Jabllanica: Nezir Nezirin dhe Xhevdet Brahimajn, të cilët me vete sollën edhe një top 75 mm., me të cilin armikut i shkaktuan dëme në teknikë dhe në njerëz. Ushtarëve të UÇK-së iu mundësua të çanin rrethimin dhe të kalojnë në Ratishë të Poshtme. Këtu u formua Njësiti i “Zhelave”, me Burim Mustafajn dhe ushtarë të tjerë, i cili komandohej nga Shkelzen Haradinaj. Njësiti i “Zhelave” me veprimet e tyre të rrufeshme u bë tmerr për forcat serbe. “Zhelat” gjindeshin në të gjitha vijat e frontit në Dukagjin.
Gjatë ofensivës së janarit të vitit 1999, nga 8-17, u zhvillua një ndër luftërat më të ashpra ndërmjet UÇK-së në Dukagjin dhe forcave serbe. Në këtë ofensivë Njësiti i “Zhelave” ishte i pathyeshëm në Pikën e Dashinocit, ku forcat serbe pësuan humbje të mëdha në ushtarë dhe në teknikë. Më 20 janar 1999, Burim Mustafaj me luftëtarët e UÇK-së solli Sallën e Operacionit nga Novosella e Gjakovës (dhuratë e Dr. Palit), në spitalin ushtarak të Zhebelit, në Dushkajë. Ndërkohë, Burim Mustafaj merr pjesë edhe në aksionin e rrufeshëm kundër forcave serbe të vendosura te shkolla dhe ambulanca e Lumbardhit me ç’rast i detyruan forcat serbe të largohen, duke lënë sasi të mëdha armatimi dhe ushqimesh.
Aksione të tilla ndodhën edhe gjatë marsit. Më 28 mars 1999 forcat serbe ndërmarrin një aksion të përgatitur kundër pozicioneve të UÇK-së. Në këtë aksion forcave serbe iu shkatërruan dy tanke, një kamion, një blindë. Në këtë betejë mbetën rreth 30 policë të vrarë. Ndërsa nga radhët e UÇK-së ranë në fushën e nderit dëshmorët Elez Geci e Maxhun Berisha dhe u plagos pjesëtari i “Zhelave” Astrit Mehmetaj. Në ofensivën e prillit Burim Mustafaj ndihmoi edhe në luftën që u zhvillua në Kralan të Gjakovës.
Pas kësaj, Burimi me shokë kthehet në Ratishë. Forcat serbe nuk i ndalnin sulmet. Më 5 prill në të gjitha frontet e Dushkajës zhvillohej luftë e ashpër. Në spitalin ushtarak të Zhebelit ndodheshin shumë luftëtarë të plagosur. Me urdhër të komandantit Ramush Haradinaj, bëhet tërheqja e tyre në drejtim të Istogut, ku pararojë e tërheqjes ishte Burim Mustafaj. Mirëpo, në Zhebel ishin koncentruar forca të mëdha serbe. Më 16 prill u ndërmor një ofensivë e ashpër. Në këtë betejë, në një luftim ball për ballë, pasi vriten shumë ushtarë serbe, bie në fushë të nderit Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj dhe Hasim Halilaj. Meqë Burimi shpesh e kishte shoqëruar komandantin Shkëlzen Haradinaj për në Jabllanicë dhe vende të tjera, ruante kujtim porosinë e tij, se nëse vritet, amanet revolen e Luanit. Këtë porosi të Shkëlzenit, Burimi e çoi në vend duke e marrë revolen nga komandanti i vrarë. Ndërkohë, vjen komandanti Daut Haradinaj me një grup ushtarësh dhe pas një lufte të ashpër, arriti të tërheqë trupat e dëshmorëve të vrarë dhe i varrosën në malet e Maznikut. Njësiti i “Zhelave” u zvogëlua për dy luftëtarë. Pas kësaj beteje Burim Mustafaj mori pjesë edhe në betejën e Kusuriqit, Llugaxhisë, Buçanit etj.
Rënia heroike
Në fund të majit 1999 armiku sulmonte nga të gjitha anët. Luftime të ashpra u zhvilluan në Ratishë dhe Dashinoc. Nga 30 maji Burim Mustafaj luftoi në vijën e pare të frontit në Ratishë të Epërme. Gjatë luftimeve u plagosën Ramë Bajrami dhe Mahir Lajçi. Forcat serbe tentonin të hynin me këmbësori, por rezistenca e luftëtarëve të UÇK-së ishte e madhe. Për shtatë ditë me radhë pika e “Zhelave” te Ura e Ratishit ishte në shënjestër të armikut. Armiku përdori edhe helme ushtarake. Por, luftëtarët nuk u zmbrapsën. Më 6 qershor 1999, rreth orës 19, në drejtim të pikës së “Zhelave” bie një granatë 120 mm. Nga plagët e marra bie në fushë të nderit komandanti Burim Mustafaj, ndërsa plagë morën të gjithë anëtarët e njësitit “Zhelat”. Komandanti Daut Haradinaj i tërhoq të gjithë dhe i dërgoi në spitalin e Maznikut.
Trupin e dëshmorit Burim Mustafaj e tërhoqi luftëtari Xhevat Zeqiraj, ndërsa në Maznik e sjellin luftëtarët Naim Mustafaj, Besim Selmanaj dhe Islam Malaj. E varrosën natën e 6 qershorit të vitit 1999 me nderime të larta ushtarake. Më 24 gusht 1999 Burim Mustafajn e rivarrosin në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan.
Pas rënies heroike
Dëshmorit Burim Mustafaj, në shenjë kujtimi të përjetshëm, në vendin e rënies i është ngritur lapidari i përjetësisë.
Familja Mustafaj është nderuar me mirënjohje të shumta për sakrificën e heroit. Për të janë shkruar shkrime të shumta përkujtimore. Janë thurur këngë e poezi. Dy vjet pas rënies, emri i dëshmorit u përtëri nga djali i vëllait, Bekimit.