Ky website është ende në proces të punës!

Ejup J. Kryeziu

Ejup Kryeziu (04.10.1972 – 02.06.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndër të parët që u rreshtua përkrahë luftëtarëve tjerë të lirisë.

  • Jeta dhe familja

Ejup Kryeziu u lind më 4 tetor të vitit 1972, nga babai Jakupi dhe nëna Ajnishahja. Ai vinte nga fshati Pagarushë, komuna e Malishevës. Prindërit e tij kishin edhe gjashtë fëmijë të tjerë, Zarifen, Hanifen, Florijen, Ruzhdiun, Hysenin dhe Bekimin.

Shkollën fillore e kreu në fshatin e tij të lindjes dhe ishte shumë i zellshëm në mësime, ndërkaq atë të mesme e mbaroi në Malishevë.

Pas mbarimit të shkollës ës mesme, ai u regjistrua edhe në universitet, me ç’rast kishte nisur studimet në Fakultetin Ekonomik.

Pas mbylljes së Universitetit të Prishtinës nga masat e dhunshme serbe, ai së bashku me shokët e studimeve kishin organizuar protesta para fakultetit ku studionte.

Për shkak të përndjekjes së Ejupit dhe familjes së tij për shkak të aktivitetit atdhetar, ai detyrohet që në vitin 1995 t’i ndërpriste studimet dhe të merrej me punët e shtëpisë.

Pas rënies së tij heroike, Ejupi ka lënë pas vetes bashkëshorten, Lumturijen dhe fëmijët, Leotrimin, Endritin dhe Leonorën.

  • Veprimtaria

Ejup Kryeziu i ishte bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në prill të vitit 1998, së bashku me dy vëllezërit e tij, Ruzhdiun e Bekimin. Përpos që merrte pjesë në beteja, ku në secilën prej tyre tregohej i suksesshëm, shtëpia e tij në fshatin Pagarushë ishte shndërruar në në qendër të UÇK-së për luftëtarët e lirisë, ku ata ndalonin për të pushuar dhe pastaj për t’u shprëndarë nëpër zonat e tyre të luftës.

Në vjeshtën e vitit 1998, Ejupi ishte përfshirë në Njësinë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm, ku nga eprorët ishte emëruar Shef i Policisë Ushtarake.

Ai mori pjesë në shumë beteja në zona të ndryshme ku po bëheshin luftime të ashpra, përfshirë rajonin e Drenicës, Dukagjinit dhe në tërësi në Zonën Operative të Pashtrikut.

Në majit të vitit 1999, Ejup Kryeziu së bashku me Hafir Kryeziun, Milaim Behën, Kujtim Krasniqin dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë, kishin shkuar për t’u dalë në ndihmën bashkëluftëtarëve në Operacionin Shigjeta.

  • Rënia heroike

Ndihma e ofruar në Operacionin Shigjeta kishte përfunduar me sukses dhe kishte zgjat afërsisht dy javë.

Po atë ditë, më 2 qershor të vitit 1999, Ejupi së bashku me Hafir Kryeziun, Milaim Behën dhe Kujtim Krasniqin, ishin duke u kthyer në pozicionet e tyre.

Ata e njihnin jashtëzakonisht mirë terrenin dhe e dinin që forcat kriminale serbe kishin minuar zonën gjithandej, të cilën arritën ta kalonin me sukses, edhe përkundër rreziqeve të shumta. Por, kur kishin arritur në vreshtat e fshatit Senik, ishin vërejtur nga ushtria serbe, e cila kishte filluar menjëherë të gjuante në drejtim të tyre. Duke parë rrezikun, ata morën pozicionet mbrojtëse dhe luftuan deri në momentin e rënies së tyre. Duke luftuar heroikisht, ranë në altarin e lirisë Ejup Kryeziu, Milaim Beha dhe Kujtim Krasniqi, ndërkaq i vetmi i mbijetuar ishte luftëtari Hafir Kryeziu.

Dëshmori Ejup Kryeziu ishte varrosur në Varrezat e Dëshmorëve, në Kleçkë.

  • Pas rënies heroike të Ejup Kryeziut

Për të nderuar veprën dhe kontributin e tij, familjes së dëshmorit i janë ndarë mirënjohje nga institucionet shtetërore të Kosovës dhe shoqatat e dalura nga lufta.

Dëshmori Ejup Kryeziu ka marrë edhe “Hero i Kosovës”, i cili është ndarë nga presidenti i asaj kohe i Kosovës, Hashim Thaçi.