Ky website është ende në proces të punës!

Faruk Elezi

Faruk Elezi (01.06.1977- 21.05.1998), ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shërbeu në Zonën Operative të Dukagjinit, i lindur që t’i kushtohej me tërë qenien e vet shpirtërore e fizike çështjes kombëtare dhe nuk kurseu asgjë nga vetja për fitoren e saj.

-Jeta dhe familja

Faruk Elezi u lind, në Gjurgjevik të Vogël të Klinës. Ai ishte djali i Kamerit dhe Resmies, të cilët nga martesa e tyre kishin dhe katër vajza: Fatmiren, Florën, Dafinën dhe Dorinën. Faruku shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, në Klinë. Meqenëse, asokohe sistemi i arsimit në gjuhën shqipe në Kosovë ishte përjashtuar nga jeta legale, ai shkollën e mesme e përfundoi në shkollat e improvizuara nëpër shtëpi private. Më pas, Faruku mësimet i vazhdoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ku ishte një prej studentëve të përkushtuar e të angazhuar për format e një dinamike të re të lëvizjes kombëtare, e cila u artikulua nga Unioni i Pavarur i Studentëve, në Tetor të vitit 1997. Faruku ishte pjesëmarrës aktiv i protestave, të cilat ishin fillim i ngjarjeve të mëdha historike.

Veprimtaria

Më 28 nëntor të vitit 1997, është ngjarja historike e daljes së parë publike e përfaqësuesve të UÇK-së, në Llaushë të Skënderajt, si dhe ngjarjet e një dite më parë në Rezallë, të komanduara nga komandanti legjendar Adem Jashari, ishin motiv tejet i madh për Farukun për kyçjen e tij në radhët e UÇK-së. Ky moment erdhi sapo në trevën e tij u formua njësiti me numrin 192, nën udhëheqjen e luftëtarit, Alush Agushi. Shtëpia e ti u bë edhe baza e sigurt e UÇK-së, ku do të bëhej organizimi dhe do të grumbullohej armatimi për front. Në fund të marsit të vitit 1998, lufta u përhap edhe në zonën e Dukagjinit. Në Shtabin e Shqiponjës (ish-Jabllanicë e Dushkajës) dhe në disa pika të tjera të Zonës së Dukagjinit, Faruku njihet me luftëtarët Agim Zeneli e Myrtë Zeneli (dëshmorë), Lahi Brahimaj, Ismet Kelmendi, Hazir Morina e të tjerë. Cilësinë e tij prej luftëtari, ai e shfaqi në shumë beteja të zhvilluara në fshatrat e kësaj zone, si në Gllogjan, në Shqiponjë, në Baballoq, si dhe në vende të tjera.

 

Rënia heroike

Atdhedashurinë dhe vendosmërinë e tij për të mos u dorëzuar asnjëherë, Faruku e vulosi me sakrificën e tij sublime, më 21 maj 1998, në Grabanicë, ku goditet rëndë nga arma e militantëve serbë. Ai ra, por krismat e armëve të UÇK-së nuk pushuan. Bashkëluftëtari i tij, Nikë Frroku, e tërheq trupin e dëshmorit Faruk Elezi nga vendi i rënies. Atë ditë, shokët e luftës e përcollën me ceremoni të nderimit ushtarak për në shtëpinë e përjetshme, me themele në Shqiponjë (ish-Jabllanicë e Dushkajës). Më 25 gusht 1999, trupi i dëshmorit Faruk Elezi, në shenjë nderimi për rënien e tij heroike dhe veprën e tij të skalitur me trimëri e gjak në frontet e zonës operative të Dukagjinit, u rivarros në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan.

Pas rënies heroike

Kujtimet për heroin Faruk Elezi, ruhen sot në dhomën – muze, në të cilën janë ekspozuar fotografitë e dëshmorit nga jeta civile e ushtarake, fletore shënimesh, veshmbathje, uniforma e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e shumë relikte të tjera. Ndër tjera, është ruajtur edhe biçikleta që e kishte ngarë ai. Figura e dëshmorit Faruk Elezi, u përjetësua në lapidar mermeri në Grabanicë. Në shenjë nderimi për veprën e Farukut, sheshi i Klinës sot mban emrin e tij. Gjithashtu, në po këtë shesh, është vendosur shtatorja e këtij heroi, si simbol i rënies ballë për ballë me pushtuesin gjakësor dhe si simbol i luftëtarit të denjë për lirinë e Kosovës. Ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në 21 vjetorin e rënies heroike për liri, dekoroi dëshmorin e kombit, Faruk Elezin, me Urdhrin “Hero i Kosovës” për trimëri dhe sakrificë për lirinë e vendit. Dekorata iu është dhënë familjarëve të heroit.