Fehmi Kastrati (15.07.1978 – 16.10.1998) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ndënse ishte shumë i ri në moshë kur iu bashkua UÇK-së, e kishte kuptuar më së miri domosdoshmërinë për të çliruar Kosovës nga pushtuesi serb.
Fehmi Kastrati u lind më 15 korrik të vitit 1978, në fshatin Kishnarekë, komuna e Drenasit (ish-Gllogoc).
Përpos Fermiut, prindërit e tij, Brahimi dhe Bahtija, kishin edhe pesë djem të tjerë, Fadilin, Aliun, Nazmiun, Veliun dhe Shemsiun, si dhe vajzat, Qerimen, Artimen, Velimen dhe Valmiren.
Fehmiu shkollën fillore e kishte kryer në vendlindje, ndërkaq atë të mesme nuk kishte arritur ta përfundonte për shkak të kushteve të rënda ekonomike, me ç’rast u detyrua që të punonte punë të ndryshme për të mbështetur financiarisht familjen e tij.
Ndonëse i ri në moshë dhe që nuk kishte provuar shumë nga jeta, megjithatë e dinte fare mirë që lufta ndaj ushtrisë serbe ishte rruga e vetme dhe më e mirë për çlirimin e Kosovës njëherë e përgjithmonë. Kështu, ai ngjeshi në brez pushkën që ia kishte lënë gjyshi i tij dhe iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës atëherë kur më së shumti ndihej nevoja e mobilizimit të të rinjve në mbrojtje të atdheut.
Më 12 maj të vitit 1998, në Grykën e Llapushnikut, ushtria serbe kishte marrë një ofensivë të fuqishme kundër ushtarëve të UÇK-së që komandoheshin nga komandant Kumanova, e duke e ndjerë nevojën për ndihmë, Fehmiu së bashku me bashkëluftëtarët kishte shkuar për të luftuar dhe u kishin shkaktuar humbje të mëdha forcave serbe.
Ndër shumë aksione të tjera ku mori pjesë, aksioni tjetër që vuri prapë në pah zotësinë dhe guximin e tij ishte ai i Luzhnicës, ku prapë kishte shkuar për t’ju dalur në ndihmë shokëve të luftës që komandoheshin nga komandant Kumanova.
Fehmiu nuk mungoi as në betejën e Rahovecit, më 15-16 korrik 1998, me ç’rast edhe ishte afruar tek njëra nga veturat e armikut, e mbushur me armatim, e cila ishte rrokullisur nga sulmi i ashpër i ushtarëve të UÇK-së. Posa kishte arritur ta tërhiqte armatimin nga vetura, në një distancë prej vetëm pak metrash, kishte eksploduar vetura dhe ai kishte marrë lëndime të lehta trupore në kokë dhe këmbë, nga të cilat e mori veten shpejt, ndonëse u kthye në front ende pa u shëruar.
Duke parë guximin dhe gatishmërinë e tij, shokët e tij të luftës mundoheshin që ta mbronin duke i rralluar pjesëmarrjet e tij nëpër aksione për shkak të moshës së re, porse një gjë e tillë ishte kundërshtuar ashpër nga Fehmiu, i cili kishte insistuar fuqishëm që ta merrnin me vete kudo nëpër formacione.
Pas vendimit për ta rikthyer nëpër aksione, ishte dhënë urdhëri që të sulmohej një bazë ushtarake e forcave serbe, e vendosur tek vendi i ashtuquajtur “Rrezet e Lladrocit”.
Kjo bazë ishte sulmuar nga ushtarët e UÇK-së më 16 tetor të vitit 1998, ku luftëtarët Fehmi Kastrati, Afrim Shala, Agon Krasniqi dhe Besim Gashi, i kishin shkaktuar ushtrisë serbe humbje të mëdha në njerëz si dhe të plagosur.
Nën breshërinë e plumbave që po drejtoheshin nga ushtria serbe në ushtarët e UÇK-së, një plumb snajperi e godet Fehmi Kastratin dhe e lë të vdekur në fushëbetejë.
Bashkëluftëtarët kishin arritur ta tërhiqnin trupin e pajetë të dëshmorit dhe ceremonia e varrimit u bë me 17 tetor të vitit 1998, tek vendi Mrizet e Berishës, në praninë e familjes dhe bashkëluftëtarëve, të cilt edhe ia kishin çuar amanetin në vend, për të ia dhënë vëllait të tij shiritin që ai e kishte mbajtur gjithmonë në kokë, deri në minutat e fundit të vdekjes.
Në 2-vjetorin e rënies heroike të dëshmorit Fehmi Kastrati, në fshatin e tij të lindjes në Kishnarekë, i është ngritur përmendorja bashkë me dëshmorin Islam Kastrati. Po ashtu, në oborrin e shkollës fillore të Lladrocit, atij dhe tetë dëshmorëve të tjerë iu është ngritur kompleksi përkujtimor.
Një rrugë në komunën e Malishevës e mban emrin “Fehmi Kastrati”, si dhe shkolla fillore dhe e mesme e ulët e fshatit Kishnarekë është emëruar në emrat “Fehmi dhe Islam Kastrati”, për të nderuar jetën dhe veprën e tyre për lirinë e Kosovës.