Habib B. Zogaj (09.06.1973 –25.08.1998) ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse dëshira dhe aktiviteti i tij në mbrojtje të atdheut kishte filluar qysh në lule të rinisë.
Habib Zogaj (Arbri) u lind në fshatin Lladroc të Malishevës. Ai ishte djali i Bahti e Fazile Zogajt. Bahtiu dhe Fazilja kishin pesë fëmijë, Agronin, Afrimin, Habibin dhe Jetonin, si dhe vajzën Ibadeten.
Habibi shkollën fillore e kreu në vendlindje, ai ishte nxënës shembullor, shkelqente në të gjitha lëndët, në veçanti në lëndët e Letërsisë dhe Historisë. Shkollimin e mesëm e vazhdoi në Gjimnazin “Abdyl Frasheri”, në Malishevë. Ai ndoqi mësimet deri në vitin e tretë dhe gjatë këtyre tri viteve, ai ishte nxënës zellshëm. Poezitë e tij vlerësoheshin lart nga mësimdhënësit.
Habibi kishte ndërprerë shkollimin në gjysmë që ta realizonte ëndrrën e tij, të kalonte kufirin Kosovë-Shqipëri. Në prill të vitit 1992, ai kishte bërë ëndrrën e tij realitet, duke kaluar kufirin. Ai qëndroi diku rreth tre muaj në Shqipëri, ku vizitoi shumë vende atje dhe u kthye përsëri në vendlindjen e tij, por shkolla si masë ndëshkuese për mungesat e tij për tre muaj, kishte marrë vendim që ta përjashtonte nga shkolla për një vit. Ai nuk ishte dorëzuar dhe nuk e kishte lënë shkollimin në gjysmë. Ai vijoi mësimet pas një viti, ku edhe e kishte përfunduar shkollimin e mesëm me sukses të shkëlqyeshëm.
Habibi vazhdoi shkollimin akademik në Fakultetin Ekonomik në vitin 1994/1995. Ai gjatë kohës sa ishte student merrej dhe me stërvitje në sportet luftarake, sidomos në karate, ku arrinte suksese të dalluara dhe në klubin e karates “Prishtina” arriti të merrte edhe “Shiritin e Zi”.
Ai në vitin 1998 u diplomua në Fakultetin Ekonomik dhe regjistroi masterin, por lufta kishte filluar dhe ishte përhapur në trojet e Drenicës, kështu Habibi braktisi studimet dhe i ishre bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Habib Zogaj ishte martuar vetëm pesë ditë para rënies heroike.
Pasi braktisi shkollimin, Habibi hyri në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në prill të vitit 1998, dhe nofka e tij ishte “Arbëri”. Ai armatoset me pushkën e gjyshit të tij.
Beteja e tij e parë që ai mori pjesë ishte ajo e 8 dhe 9 majit e vitit 1998. Kjo betejë u zhvillua në Grykën e Llapushnikut, ku luftuan me forcat armike serbe nga të dy anët e magjistrales, të cilën luftëtarët tane arritën ta bëjnë të pamposhtur dhe të pakalueshme për forcat armike serbe, Kjo zonë u kontrollua nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës për afër tre muaj, deri më 24 dhe 25 korrik.
Habibi luftoi dhe në betejën e Rahovecit më 17 korrik të vitit 1998 dhe ishte një nga luftëtarët më të dalluar në këtë betejë. Habibi ishte emëruar zëvendëskomandant i njësitit diversant- vëzhgues.
Habibi tani më ishte i pandalshëm, ai lëvizte aty ku zhvillohej beteja, ishte trim që nuk i trembej armikut. Ai luftoi në betejën e 24 gushtit 1998, në vendin e quajtur “Bajrak” të Luzhnicës. Aty u zhvillua një betejë e drejtpërdrejtë me armikun serb, në këtë betejë humbën jetën luftëtarët e lirisë, Afrim Buqaj-“Mësuesi”, Nuhi Mazreku-“Snajperisti” dhe Gani Kastrati. Të nesërmen, në tentim për t’i nxjerrë trupat e tre luftëtarëve të rënë për liri e atdhe, nga dora armike serbe vriten në fushën e nderit Komandanti Ismet Jashari-“Kumanova”, si dhe Habib Zogaj- “Arbri”.
Në shenjë mirënjohjeje dhe kujtimi për Ismet Jasharin, Shtabi i Përgjithshëm mori vendim që Brigada 121 të pagëzohet me emrin e Komandant “Kumanova”, kurse njësia elite diversante-vëzhguese me pseudonimin e. dëshmorit Habib Zogaj, “Arbëri”.