Ibrahim Mazreku (19.11.1969 – 02.06.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i rritur dhe edukuar në frymën e atdhedashurisë nga familja e tij.
Ibrahim Mazreku u lind më 19 nëntor të vitit 1969, në qytetin e Malishevës. Shkollën fillore e përfundoi në qytetin e lindjes, ndërkaq të mesmën e përfundoi dy vite në vendlindje, kurse dy të fundit në qytetin e Rahovecit.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai kishte vijuar studimet në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës.
Ibrahimi ka qenë sportiest shumë i mirë dhe ishte futbollist i klubit “Malisheva”.
Ibrahimi la pas vetes bashkëshorten Xhemilen dhe katër djemtë, Butrintin, Shkëlqimin, Valdrinin dhe Adhurimin.
Ibrahimi iu bashkua UÇK-së më 25 korrik të vitit 1998, atëherë kur ushtria serbe kishte intensifikuar sulmet ndaj pozicioneve të UÇK-së në zonën e Llapushës.
Ai mori pjesë dhe tregoi shkathtësi e guxim të pashoq në betejën e Bllacës, ndërkaq pas kësaj beteje ishin vendosur në Gajrak, për të përcjellur çdo lëvizje të forcave armike.
Për shkak të shkathtësive të treguara, ai ishte zgjedhur komandant kompanie dhe kishte përsipër Togën e Malishevës, Togën e Gajrakut dhe Togën e Dragobilit.
Vëllai i Ibrahimit, Refki Mazreku, i njohur me nofkën e luftës “Vandami”, komandant i njësisë speciale “Arbri”, pasi kishte marrë urdhër për të realizuar operacionin, “Shigjeta”, me propozim të komandantit të Zonës Operative të Pashtrikut, Tahir Sinanit, e kishte emëruar Ibrahimin komandant të përkohshëm të njësisë” Arbri”.
Në njërin nga aksionet e shumta të realizuara, Ibrahimi me snajperin që e kishte trashëgruar nga komandant Kumanova, kishte vrarë dy paramilitarë e dy policë serbë, kurse bashku me bashkëluftëtarët e tij i mbajtën tërësisht të bllokuara forcat serbe për pesë ditë.
Më 2 qershor të vitit 1999, në fshatin Lladroc, kishte filluar një aksion i fuqishëm i forcave armike kundër pozicioneve të UÇK-së, në mënyrë që të depërtonin në thellësi të zonës.
Për dy ditë ishte luftuar ashpër dhe Njësia “Arbri” kishte marrë urdhër që të mos tërhiqeshin nga pozicionet e tyre, pa marrë parasysh rrethanave.
Duke luftuar trimërisht, në këtë betejë kishte rënë heroikisht luftëtari Ibrahim Mazreku.
Ai ishte varrosur në Kleçkë, me nderime të larta ushtarake në po të njëjtën ditë, ndërkaq është rivarrosur më 14 gusht të vitit 2000, në Varrezat e Dëshmorëve, po në Kleçkë.
Për të nderuar kontributin e Ibrahimit në luftë, Ministria e Mbrojtjes e QPK-së e ka nderuar me Mirënjohje, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e ka shpallur Dëshmor të Kombit, Universiteti i Prishtinës ia kanë dhënë diplomën “Student martir”.
Për nder të tij, shkolla fillor e Malishevës është emëruar “Ibrahim Mazreku”.
Shkolla fillore e Malishevës, me rastin e dyvjetorit të rënies, ka marrë emrin “Ibrahim Mazreku”, kurse i është ngritur përmendorja e përbashkët me 8 dëshmorë të tjerë, në fshatin Lladroc.
Për kontributin e dhënë, presidenti i asaj kohe i Kosovës, Hashim Thaçi ndau Urdhërin “Hero i Kosovës” për Ibrahim Mazrekun.