Ky website është ende në proces të punës!

Ilmi Malushaj

Ilmi Malushaj (13.07.1964-19.07.1998) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit. I brumosur në frymën e atdhedashurisë, bashkë me shumë trima të fshatit Kotradiq, qysh në fillim të luftës në Dukagjin ai u rreshtua krah bashkëluftëtarëve të UÇK-së.

 Jeta dhe familja

Ilmi Malushaj u lind në fshatin Kotradiq, komuna e Pejës. Babë Sadriu dhe nënë Fatimja kishin gjashtë fëmijë: dy djem dhe katër vajza. Dëshmori ishte më i riu në mesin e tyre.

Shkollën fillore, Ilmi Malushaj e kreu në Baran, ndërsa shkollën e mesme në Pejë, dega Ekonomi. Në jetën civile u morë me bujqësi.

Ilmia ishte i martuar dhe la pas vetes pesë fëmijë: dy djem dhe tri vajza.

Veprimtaria

Dalja e Ushtrisë Çlirimtare  te Kosovës në skenë,bëri që të rinjtë e fshatit të formojnë Shtabin lokal për mbrojtje qysh në prill të vitit 1998. Ilmi Malushaj ishte i sistemuar si ushtar furnizimi. Kreu detyra ushtarake në fshat, si roje. Në maj të vitit 1998 mori pjesë në Betejën e Gllavicës së Vranocit

Ilmi Malushaj ishte pjesëmarrës edhe në aksionin e UÇK-së për ndjekjen e forcave policore nga stacioni i Qallapekut, në fund të qershorit të vitit 1998.

Rënia heroike

Më 5 korrik 1998 Ilmi Malushaj, bashkë me dy luftëtarë nga Kotradiqi, me urdhër të Shtabit nën komandën e Ramush Hajradinajt, nisen për armatim. Fillimisht duhej shkuar në Gllogjan të Deçanit, prej nga të bashkuar, duhej nisur për në Shqipëri. Aty qëndruan 10-12 ditë, ngase në Junik zhvilloheshin luftime të rrepta, e këta duhej të ktheheshin pikërisht nëpër Junik. Më 18 korrik të vitit 1998 nisën për në Kosovë shumë luftëtarë të armatosur. Një ditë më vonë, më 19 korrik, mbërrijnë në vendin e quajtur Rrasa e Zogut, ku bijnë në një fushë të minuar. Në të njëjtën kohë, forcat serbe shtijnë në drejtim të tyre me të gjitha llojet e armëve që posedonin. Në këtë vend, mori plagë vdekjeprurëse dëshmori Ilmi Malushaj dhe gjashtë bashkëluftëtarë të tjerë. Trupat e tyre nuk mundën të tërhiqen, sepse luftimet ishin të ashpra. Andaj, dëshmori Ilmi Malushaj llogaritej i zhdukur. Mirëpo, motrat e Ilmiut, në bashkëpunim me një fshatar të Junikut, e identifikuan trupin e tij më 23 gusht të vitit 1998 dhe e sollën në vendlindje. Me pëlqimin e familjes, më 24 gusht të vitit 1999 trupi i dëshmorit Ilmi Malushaj u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan me nderime të larta ushtarake.

Pas rënies heroike

Në shenjë nderimi për heroizmin dhe sacrificën në luftën për çlirimin e atdheut, në fshatin Kotradiq, u përjetësua portreti i dëshmorit Ilmi Malushaj në lapidarinë e lavdisë.

Familja e dëshmorit Ilmi Malushaj ka marrë mirënjohje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Shoqatat e dala prej saj.