Imer Alushani (23.09.1964 – 26.07.1998) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse aktiviteti i tij në mbrojtje të atdheut kishte filluar qysh në rininë e tij.
Kur filloi lufta, ishte betuar: “Derisa të jem gjallë, këmba e shkaut nuk do të shkelë në Grykën e Llapushnikut”.
Imer Alushani u lind në Bushat (ish-Komoran), komuna e Drenasit. Ai ishte djali i Muharrem dhe Miradie Alushanit.
Imeri la pas vetes djemtë Flamurin, Muharremin, Dardanin dhe Fidanin.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje Bushat (ish-Komoran), ndërsa shkollimin e mesëm në gjimnazin e Drenasit (ish-Gllogoc).
Ashtu si shumë familje në Kosovë, nga kushtet e rënda ekonomike nuk arriti t’i vazhdonte studimet, por mori rrugën për në mërgim, ai shkoi në Kroaci por nuk mundi ta gjente veten dhe u kthye në vendlindje.
Gjatë viteve të ’80-ta, ai mori pjesë në demostratat kundër shtypjes kombëtare të shqiptarëve. Ku u kishte rënë në sy edhe inspektorëve të sigurimit, të cilët filluan ta gjurmonin, kështu pas tri viteve, më 13 dhjetor të vitit 1992, në mëngjes, kishin rrethuar shtëpinë e tij. Policia kishte marrë në arrest Imerin dhe vëllaun e tij Ramadanin. Ramadanin e kishin torturuar dhe më pas e kishin liruar pas 6 ditësh, ndërsa Imerin e kishin dënuar me 4 vite burg, për veprën penale për organizimin e aktiviteteve anti-jugosllave.
Në vitin 1996, Imeri ishte liruar nga burgu i Dubravës, ai kthehet në familjen e tij. Imeri ishte i pandalshëm, pasi tanimë ishte i lirë dhe menjëherë kishte marrë vesh që kishte filluar të krijohej një ushtri, ai bie në kontakt me trimat e Adem Jasharit dhe inkuadrohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me krijimin e pikave luftarake në Drenicë, ai konsultohej me komandantin Ismet Jashari –Kumanova dhe Fatmir Limajn – Komandant Çelikun.
Më 9 maj të vitit 1998, Imeri se bashku me shumë trima të tjerë luftoi me forcat armike serbe në të dy anët e magjistrales. Pas disa orësh luftime, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte arritur ta zë Grykën e Llapushnikut, duke bllokuar rrugën e kalueshme të magjistrales Prishtinë – Pejë. Marrja nën kontroll e këtij drejtimi kishte krijuar kushte për zgjerimin e luftimeve të UÇK-së.
Imeri bashkë me shumë luftëtarë të tjerë gjatë luftës kishte shkuar në Shqipëri dhe kishin sjellë armë dhe municion për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ai, së bashku me shumë luftëtarë të tjerë, luftuan kundër forcave serbe në Komoran, Fushticë, Blinajë e Carralevë.
Më 14 qershor të vitit 1998, Imer Alushani, Gani Kastrati e shumë trima të tjerë, ishin nisur për t’u dalë në ndihmë bashkëluftëtarëve duke u dërguar armë për të zënë Grykën e Carralevës. Ata kishin shkuar pasi kishte filluar beteja, duke kaluar nga breshëria e plumbave të armikut dhe kishin depërtuar në vendin e ngjarjes, duke iu bashkuar bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 25 korrik të vitit 1998, në mëngjesin e hershëm, forcat armike serbe ishin përgatitur ta bombardonin Grykën e Llapushnikut. Njësi të shumta ishin përhapur në rrethinë. Nga Sankoci e Goleshi, pa humbur kohë filluan ta bombardonin me raketa tokë-tokë Grykën e Llapushnikut, e cila mbrohej nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aty po zhvillohej një betejë e madhe, trimi Imer Alushani me shumë trima të tjerë po luftonin pa u ndalur. Atë ditë vere të nxehtë, Drenica ishte e mbuluar nga zjarri e tymi, shumë shtëpi po digjeshin nga forcat armike dhe nga lufta që po zhvillohej, Imer Alushani me bashkëluftëtarë po luftonin duke pritur përforcime, si dhe “topin e Açarevës”, ngase ajo ishte shpresa e vetme për ta goditur armikun serb.
Beteja vazhdoi edhe më 26 korrik të vitit 1998, Imeri po luftonte dhe luftëtarët e sollën topin nga Açareva dhe Imeri po i qëndronte pas, duke gjuajtur në drejtim të armikut. Ai po bënte një luftë të madhe duke gjuajtur herë me top e herë me mitrolozin e tij. Imeri ishte duke aktivizuar predhën e radhës, kur një granatë e kishte goditur në gjoks, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Bashkëluftëtarët kishin arritur ta tërheqnin trupin e tij nën breshërin e plumbave. Ai ishte varrosur me nderime ushtarake në varrezat e dëshmorëve në Kleckë.
Në nderim të dëshmorit të kombit, Imer Alushani, u ngrit lapidar në vendin e quajtur te Guri i Kaprollit, në Llapushnik.
Lapidar u ngrit dhe në Bushat (ish-Komoran), për nder të dëshmorëve të kësaj ane, në të cilen është edhe figura dhe emri i Imer Alushanit.