Ismet Jashari (16.04.1967 – 25.08.1998), i njohur me emrin ushtarak “Komandant Kumanova” ishte dhe mbetet ndër figurat më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai shquhej si epror dhe strateg ushtarak.
Ismet Jashari u lind më 16 prill të vitit 1967, në fshatin Orizar të Komunës së Likovës, rrethinë e Kumanovës, nga babai Jashari dhe nëna Nurija.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, për ta vazhduar pastaj shkollimin e mesëm në Kumanovë.
Për shkak të aktivitetit të tij patriotik, Ismet Jashari i kishte rënë në sy të pushtetit të atëhershëm dhe ishte përjashtuar nga shkolla e mesme në Kumanovë, dhe kështu, shkollimin e mëtutjeshëm e kishte vazhduar në gjimnazin “Skënderbeu”, në Preshevë.
Gjatë kësaj kohe vazhdimisht përcillej nga organet e sigurimit shtetëror serb, për çka detyrohet që në prill të vitit 1989 të migronte në Zvicër, ku kishte vazhduar veprimtarinë e tij patriotike me shumë shokë të tjerë të idealit.
Komandant Kumanova la pas vdekjes bashkëshorten, Habiben, si dhe pesë vajzat, Marigonën, Monikën, Donikën, Margaritën dhe Artanën.
Ai kishte filluar menjëherë angazhimin në Zvicër për të mbledhur mjete financiare për luftën çlirimtare që kishte filluar në Kosovë, kështu duke iu përgjigjur thirrjes dhe fondit “ATDHEU NË RREZIK – VENDLINDJA THËRRET”.
Në pranverën e vitit 1998, pas luftës heroike të familjes Jashari dhe pas rënies së komandantit legjendar, Adem Jashari, Ismet jashari së bashku me një grup shokësh, kishin ardhur në Kosovë për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Komandant Kumanova kishte shkuar paraprakisht të vizitonte familjen e tij në Orizar të Kumanovës, ku për herë të parë pas shumë vitesh ishte takuar me babain e tij, Jashari, kurse nëna e tij kishte vdekur dy vite para se ai të rikthehej në vendlindje, e në varrimin e saj nuk kishin arritur të shkonin as Ismeti dhe as Murati, vëllai i tij.
Ditën e nesërme të arritjes në shtëpi, ende pa i bërë 24 orë qëndrim në shtëpinë e tij, ai ishte spiunuar dhe ishte arrestuar nga policia maqedonase.
Ismet Jashari, së bashku me një grup shokësh, ishin angazhuar drejtpërdrejt në UÇK, ku kishin marrë përsipër terrenin e Llapushës dhe të Pashtrikut.
Komandant Kumanova, së bashku me Fatmir Limajn dhe Haxhi Shalën, ishin caktuar sipas vendimit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të punonin në bërthamën kryesore për ngritjen dhe organizimin e aksioneve në rajonin e Llapushës dhe të Drenicës së Epërme, me seli në Kleçkë, në odën e Hafir Shalës.
Brenda disa muajsh, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rajonin e Llapushës iu bashkuan mijëra të rinj dhe të reja, në mobilizimin e të cilëve dha kontribut të jashtëzakonshëm komandant Kumanova.
Në trevën strategjike të Kleçkës, Divjakë, Fshat të Ri, Luzhnicë, Lladroc, Javurë, Tërpezë e Berishë, vepronte Shtabi i Përgjthshëm i UÇK-së dhe institucionet kryesore të pushtetit ushtarako-politik në Kosovë, prandaj pjesëtarët e Brigadës 121 kishin përgjegjësi të veçantë.
Në prill të vitit 1998, Ismet Jashari u zu në pritë nga forcat serbo–jugosllave në mes të fshatrave Volljakë dhe Çupevë, teksa po kthehej në Kleçkë nga drejtimi i operacioneve ushtarake në Klinë dhe Dukagjin. Ismet Jashari i mbijetoi sulmit, por u plagos në të dyja këmbët.
Më 9 maj 1998, Ismet Jashari, i cili ende nuk ishte shëruar plotësisht nga lëndimet që pësoi gjatë pritës, udhëhoqi forcat e tij në Llapushnik, ku mposhti ushtrinë dhe policinë serbo–jugosllave.
Pas pushtimit të Llapushnikut, Ismet Jashari udhëhoqi operacionet e mëtejshme kundër forcave jugosllave, duke i mposhtur ato në beteja të shumta dhe duke rimarrë vendet e rëndësishme strategjike të Qafës së Duhllës dhe Grykës së Carralevës.
Nga fillimi i majit deri në gusht 1998, Ismet Jashari kishte përforcuar vendet strategjike në Drenicën jugore, Llapushnik dhe Qafën e Duhlës, për një ofensivë të ardhshme jugosllave.
Më 14 qershor 1998, forcat serbo–jugosllave sulmuan dhe pushtuan Grykën e Carralevës dhe Qafën e Duhlës, të mbajtura deri atëherë nga forcat e Ismet Jasharit.
Tre ditë më vonë, Ismet Jashari kundërsulmoi ushtrinë serbe, e cila po përgatitej të depërtonte drejt Luzhnicës.
Ismet Jashari kishte arritur të rimerrte Grykën e Carralevës, duke e detyruar ushtrinë serbe të tërhiqej në pozicionet e saj në Qafën e Duhlës.
Në fund të qershorit 1998, Ismet Jashari përforconte trupat në Carralevë, Zborcë, Blinajë, Fushticë, Tërpezë, Bllacë dhe kudo në territoret që ishin nën kontrollin e UÇK-së në Drenicën jugore dhe në Llaushë.
Gjatë një ofensive të madhe serbe më 25 dhe 26 korrik 1998, forcat e Ismet Jasharit luftuan kundër ushtrosë serbe në Zborc dhe në Grykë të Carralevës, por nuk kishin arritur t’i mbanin këto vende strategjike.
Më 23 gusht 1998, forcat serbe kishte marshuar në drejtim të Kleçkës, ku ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, por u pritën nga forcat e Ismet Jasharit në Luzhnicë, të cilët i ndaluan të depërtonin drejt Kleçkës për një ditë të tërë.
Më 24 gusht 1998, ushtria serbe kishte shtuar ofensivën e saj duke sulmuar forcat e Ismet Jasharit me tërë artelerinë që kishte në dispozicion, duke arritur përfundimisht të thyenin mbrojtjen e UÇK-së në Luzhnicë dhe Kleçkën, duke mbajtur edhe trupat e tre ushtarëve të vrarë, Gani Kastrati, Nuhi Mazreku dhe Afrim Buçaj.
Një ditë më vonë, më 25 gusht, Ismet Jashari kishte ndërmarrë një sulm, ku si qëllim kryesor ishte tërheqja e trupave të ushtarëve të rënë, të cilët po mbaheshin nga ushtria serbe. Pas disa orësh luftime të ngushta në Luzhnicë, Ismet Jashari, së bashku me Habib Zogajn dhe Nuhi Mazrekun, kishin rënë heroikisht në betejë.
Bashkëluftëtarët e komandant Kumanovës, në dhjetor të vitit 1998, kishin ndërmarrë aksion në afërsi të fshatit Shirokë të Therandës dhe i tërhoqën trupat e pesë dëshmorëve të rënë.
Pas rënies heroike të Ismet Jasharit
Pas vdekjes së Komandant Kumanovës, Brigada 121 e Zonës Operative të Pashtrikut të UÇK-së mori emrin “Ismet Jashari – Kumanova”.
Më 25 gusht të vitit 2009, Ismet Jashari ishte shpallur “Hero i Kosovës”. Ndërkaq, në vitin 2011, u vendos busti i Komandant Kumanovës në fshatin e tij të lindjes në Orizar, me urdhër të Komunës së Likovës.
Emrin e tij sot e mban edhe shkolla e mesme e Likovës.