Kujtim Sinan Krasniqi (05.12.1976 – 02.06.1999)-ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,i cili aktivitetet për çlirimin e vendit nga forcat barbare serbe i nisi qysh në fillimet e para të kryengritjeve kundër pushtetit jugosllav.
-Jeta dhe Familja
Kujtim Sinan Krasniqi u lind në Damanek të komunës së Malishevës.Rrjedh nga një familje patriotike e njohur për besën dhe trimërinë.Ishte i biri i Sinanit dhe nënës Sale, të cilët kishin rritur bijtë: Kujtimin, Blerimin, Shpejtimin, dhe Fitimin, dhe bijat: Miniren, Sebahatin dhe Fitoren.
Kujtimi shkollën fillore e përfundoi në vendlindje në Damanek, ndërsa të mesmen e përfundoi në Malishevë. Studimet e tij i filloi në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Juridik, ku ra në kontakt me figurat e shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u bërë pjesë e grupit të Demir Limajt, Ekrem Kastratit, Ali Xhuliqit, Fatmir Limajt e të tjerëve.
-Veprimtaria
Kujtim Krasniqi me nofkën e tij të luftës “Timi” fazën përgatitore për të qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e përfundoi në Shqipëri, ku pati fatin të stërvitej nga figura të njohura luftarake si Kudise Lame, Adem Shehu dhe Tahir Sinani.
Në vitin 1997, ai i bashkohet forcave të UÇK-së në zonën e Llapushës, ku menjëherë bëhet pjesë e aksioneve guerile të pjesëtarëve të UÇK-së në Kleçkë dhe malet e Berishës. Me ardhjen e Tahir Sinanit në Zonën Operative të Pashtrikut më 5 nëntor të vitit 1998,ai arriti të bëhet pjesë e grupit shoqërues të eprorit Tahir Sinani. Oda e Sinan Krasniqit, babait të dëshmorit Kujtim ishte kthyer në çerdhe luftëtarësh ku organizoheshin aksione të ndryshme. Forcat serbe kishin vendosur të sulmonin pozicionet e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mirëpo të mirë organizuar, epror Tahir Sinani së bashku me bashkëluftëtarët si Kujtim Krasniqi, Ejup Kryeziu, Ruzhdi Kryeziu, Mendim Daka dhe Gëzim Kastrati, ishin në vijat e para të frontit në Qafën e Pagarushës, të përgatitur fizikisht dhe moralisht për t’i sulmuar forcat serbe. Shkatërrimi më i madh forcave serbe iu bë në vendin mes Mirushës dhe Malishevës, ku vëllai i Kujtimit, Shpejtimi, së bashku me grupin e tij, sulmojnë dhe shkatërrojnë forcat çetnike serbe, duke u bërë dëme të mëdha, duke shkatërruar një kamion me ushtarë serb dhe një tank që edhe sot e kësaj dite qëndron në Mirushe si një monument historie. Kujtim Krasniqi “Timi” kishte marrë pjesë edhe në sulmin që ishte organizuar nga forcat e UÇK-së në stacionin policor të Malishevës dhe në shumë sulme të tjera.
-Rënia Heroike
Eprori Tahir Sinani kishte vendosur që ta forconte krahun e tij të luftimeve, andaj u kishte bërë thirrje për ndihmë grupit të Kujtim Krasniqit me shokë, të cilët iu përgjigjën menjëherë thirrjes. Më 2 qershor, së bashku me grupin e tij, arrijnë në afërsi të Kleçkës. Gjatë përpjekjes për të depërtuar në Lladrovc, në vendin e quajtur Vreshtat e Senikut, bien në pritë të organizuara nga forcat çetnike serbe, të cilat ishin të pajisura me snajperë e predha të ndryshme. Nën breshërinë e plumbave, bien heroikisht për të mos vdekur kurr dëshmorët: Kujtim Krasniqi i Damanekut, Ejup Kryeziu i Pagarushës dhe Milaim Beha-“Slloveni” i Carralevës. Pas disa ditësh, familja e heroit Kujtim Krasniqi arrijnë të gjejnë vendin e varrimit të “Timit” dhe me nderime të larta ushtarake të Zonës Operative të Pashtrikut e varrosin në Kleçkë. Amanetin e dëshmorit për liri e vazhdoi vëllai i tij, Shpejtimi, i cili mori pjesë në luftime në Sllupçan, Likovë e në Orizare në kuadër të Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”.
-Pas rënies heroike
Kujtim Krasniqi “Timi” u nderua me Mirënjohjen e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në odën e Sinan Krasniqit, përveç mirënjohjeve ka edhe shumë kujtime e materiale. Shkolla e mesme, Qendra e Kompetencës në Malishevë, mban emrin e dëshmorit Kujtim Krasniqi. Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes, ka ndarë mirënjohje për familjen e dëshmorit Kujtim Krasniqi. Fakulteti Juridik ndau diplomën “Student Martir” për dëshmorin Kujtim Krasniqi.