Ky website është ende në proces të punës!

Mahir Lajqi

Mahir Lajçi (10.03.1981 – 27.01.2001) i njohur si komandant Rugova, ishte epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili qysh në moshë të re, iu përgjigj me dashuri thirrjes së vendit për çlirim nga okupimi serb. Komandat Rugova është emblemë e luftës çlirimtare, i cili me heroizëm e trimëri të rrallë, e mbajti të ndezur flakadanin e lirisë, jo vetëm për Pejën e Rugovën, por për Kosovën e të gjithë shqiptarinë.

Jeta dhe Familja

Mahir Lajçi u lind në Pejë. Rrjedh nga një familje me tradita patriotike.Të njëjtën rrugë e vazhdoi edhe Mahiri.

Shkollën fillore dhe të mesme, Mahiri i kreu në vendlindje. Në janar të vitit 1997, ai mori pjesë në protestën e madhe popullore për shkollën shqipe.

Veprimtaria

Edhe pse në moshë të re, zërit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mahir Lajçi iu përgjigj me plot dashuri. Ishte maji i vitit 1998 kur u nda nga shkolla dhe u paraqit në komandën e UÇK-së në Gllogjan të Deçanit. Por, si të ri, nuk e pranuan. Edhe të dytën herë nuk e pranuan. Por, meqë ishte këmbëngulës, herën e tretë Mahir Lajçin e pranuan si ushtar të UÇK-së. U sistemua në Gllogjan dhe nuk ndahej nga ushtarët e lirisë. Mori pjesë në shumë aksione e beteja. Ishte i dashuruar në armën e tij, pushkomitralozin e rëndë. Është i gjatë numri i betejave në të cilat mori pjesë dëshmori Mahir Lajçi deri në ditën e çlirmit të Kosovës, në qershorin e vitit 1999. Gjithnjë ishte përkrah luftëtarëve dhe komandantëve të shquar, vëllezërve Ramush, Shkëlzen dhe Daut Haradinaj. Mori pjesë në betejat që u zhvilluan kundër forcave serbe në Gramaqel, Broliq, Lumbardh, Suka e Hereqit, Suka e Biteshit, Podi i Gështenjave, Loxhë, Kralan, Gërgoc, Jabllanicë, Gllogjan, Voksh, Rekë e Allagës, Shtupeq i Madh, Ratishë etj. Në aksionet ku zgjidheshin ushtarët më të zotë, Mahir Lajçi ishte në mesin e tyre. Në muajin shtator 1998 kishte hyrë në Njësinë për Intervenim të Shpejtë “Shqiponjat e zeza”. Pas ofensivës së shtatorit 1998 ishte ndër ushtarët e paktë që ngeli në Zonën Operative të Dukagjinit, ku nën komandën e Ramush Haradinajt u gjend në Jabllanicë, Kralan dhe Gërgoc të Dushkajës. Luftëtari i lirisë Mahir Lajçi u kthye në Gllogjan bashkë me Shkëlzen Haradinajn dhe komandantin Idriz Balën. Përsëri mori pjesë në sulmet që UÇK-ja ndërmori kundër forcave serbe. Në muajin shkurt të vitit 1999 Mahiri ishte në krye të Njësisë Diversante të Brigadës 136 “Rugova”. Në Rugovë ishte shtyllë në mesin e luftëtarëve dhe luftimeve që u zhvilluan në Rekë të Allagës. Duhet veçuar luftimet më 19 e 20 prill kur i thyejnë forcat serbe.

Ishte edhe në Shqipëri për ta furnizuar UÇK-në me armatime.

Rënia heroike

Mahir Lajçi gjatë luftimeve u plagos dy herë, në Gllogjan dhe në Ratishë. Dhe, përfundimi i luftës në Kosovë, e gjeti luftëtarin e devotshëm në radhët e TMK-së. Mahiri i shpëtoi vdekjes gjatë luftimeve me forcat serbe, por ajo, megjithatë e gjeti. Pikërisht më 27 janar 2001, ai u vra në Gjakovë në një rrethanë të pasqaruar. Për TMK-në vrasja e Mahir Lajçit ishte një humbje e një luftëtari të devotshëm. Varrimi i dëshmorit u bë në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan të Rekës me nderime të larta ushtarake.

Pas rënies heroike

Emir i dëshmorit Mahir Lajçi, sot është përjetësuar kudo nëpër emeërtime të rrugëve, të insitucioneve, në këngë e dokumentare.

Po ashtu, dëshmori Mahir Lajqi – Rugova, është bartës i Urdhërit “Adrian Krasniqi” Luftëtar i Dalluar që i është ndarë nga OVL të UÇK-së, në Pejë.