Mentor Morina (20.10.1974-18.4.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili la mërgimin për për të luftuar dhe për t’u flijuar për lirinë e Kosovës.
Mentor Morina ishte djali i Nazmiut dhe Feties.
Mentori kishte dy vëllezër, Jetonin e Vetonin dhe katër motra, Xhevrien, Ermiren, Miniren e Selveten.
Mentori shkollën fillore e kreu në Komoran e atë të mesme në Drenas. E regjistroi Fakultetin e Kulturës Fizike në Prishtinë, por i ndërpreu studimet për shkak të mbylljes së shkollave në gjuhën shqipe nga okupatori serb. Ishte i ndjekur nga policia serbe sepse nuk deshi të kryente shërbimin ushtarak në armatën jugosllave dhe mori pjesë në demonstrata e protesta që u organizuan ato vite në Kosovë. Për këtë shkak, për të mos rënë në dorën e armikut, mori rrugën e mërgimit në shtetin e Gjermanisë, e më vonë edhe në atë të Zvicrës.
Mentor Morina ishte bërë pjesëtar i UÇK-së në muajin korrik të vitit 1998, në fshatin Leçinë, pasiqë ishte kthyer nga mërgimi përmes maleve të Shqipërisë, i armatosur me një grup luftëtarësh nga të gjitha viset shqiptare.
Mentori u mor me furnizimin me armatim të ushtrisë, ndërsa stërvitjet ushtarake i kishte kryer në Divjakë. Mentori trimërinë dhe heroizmin e tij e tregoi në të gjitha betejat që mori pjesë, e ato ishin të shumta, si në Turigevë, Vojnikë, Leçinë, Açarevë, Reçak, Suharekë, Tërpezë, Arllat, Gjergjicë, si dhe në të gjitha vendet ku zhvillohej luftë mes UÇK-së dhe ushtrisë serbe.
Duke parë luftën që po bëhej në Drenicë në atë kohë, Mentori së bashku me katër shokë të tij nga Zvicra kishin shkuar në Shqipëri, ku më datë 13 korrik të vitit 1997, ishin në bazën stërvitore të Krumës, ku kryen ushtrime dhe trajnime të ndryshme.
Një grup prej 24 ushtarëve, më datë 15 korrik, në krye me komandant Abedin Rexhën, grup në të cilin bënte pjesë edhe Mentor Morina, pas një rrugëtimi të gjatë në shi dhe kushte jo të mira, gjatë natës kishin kaluar kufirin dhe ishin futur në Kosovë. Pas pak pushimi që kishin bërë në Has, grupi prej 24 luftëtarëve të cilët ishin të armatosur mirë, ishin paisur me uniforma të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ishin nisur drejt Drenicës, me dëshirën e madhe për të ndihmuar bashkëluftëtarët e kësaj ane.
Mentor Morina së bashku me shokët e tij kishin bërë një betejë në vendin e quajtur Kodra e Flamurit, betejë e cila ishte shumë e pabarabartë, duke parë anën teknike të ushtrisë së okupatorit serb dhe duke parë armët që kishin ushtarët e UÇK-së. Ushtarët e UÇK-së, me vullnetin e madh që kishin që ta mbronin vendin e tyre, arritën që ta fitonin këtë betejë dhe duke u siguruar që i kanë bërë dëm mjaftueshëm në njerëz dhe makineri forcave serbe, ndërsa në anën e ushtarëve të UÇK-së ishin vetëm tre ushtarë të plagosur.
Mentori dhe njësiti në të cilin shërbente morën pjesë në luftime në Açarevë, ku pas disa ditësh u erdhi lajmi që të tërhiqeshin nga zona e Drenicës dhe të vendoseshin në Malet e Berishës për të kryer aksionet e radhës që duhet të kryheshin në këtë zonë. Përderisa Mentori po sistemohej dhe ambientohej në Kleçkë, për herë të parë pas shumë kohësh arriti t’i takonte prindërit e tij në fshatin Tërpezë, në lagjen Mehaj.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës në kohën e dhënies së pozitave të reja, Mentorin e caktoi në Njësitë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm, në Divjakë, të cilat i trajnonte me kujdes të veçantë komandanti Tahir Sinani nga Tropoja e Shqipërisë. Mentori, që nga kyçja e tij në radhët e UÇK-së, mori pjesë në luftime në shumë vende, veçohen disa prej tyre: Tërpezë, Arllat, Kleçkë, Kizharekë, Reçak e Carralevë, Shalë e Bushat, si dhe shumë vende të tjera.
Duke parë mençurinë në organizimin e aksioneve të suksesshme dhe duke parë rezultatet pozitive të Mentorit, ai ishte emrëtuar zëvendëskomandant i njësisë speciale “Arbëri”, që vepronte në kuadër të Brigadës 121, “Ismet Jashari- Kumanova”. Në ditarin e Mentorit ishin gjetur shkrime të aksioneve të marra dhe ishin gjetur emrat e bashkëluftëtarëve të cilët i komandonte sa ishte zëvëndëskomandant i këtij njësiti, ndër emrat që kishte shkruar ishin: Gazmend Gashi, Besim Berisha, Ilir Kryeziu, Arben Krasniqi, Sylejman Bytyçi, Petrit Presheva, Burim Nishori, Isuf Krasniqi, Sejdi Qeriqi dhe Sami Qeriqi.
Në muajin janar dhe shkurt në vitin 1999, Mentori përfundoi me sukses shkollën e oficerëve “Hamëz Jashari”, në Likoc të Skenderajit.
Me 18 prill, forcat armike tentonin me çdo kusht të depërtonin në Bjeshkët e Berishës, përmes Gradinës, të cilat ishin pika strategjike dhe bedene ende të pathyeshme. Në këto pika ishte i pozicionuar edhe Mentori me shokë, por kalimi i forcave okupatore ishte i pamundur nga lufta që zhvilluan ushtarët e UÇK-së.
Në orën 6 të mëngjesit filluan luftimet në Lladroc, Tërpezë, Arllat, Kizharekë, Nekoc, Shalë dhe pika të tjera, mirëpo pika më e rëndësishme ishte ajo e Gradinës dhe epiqendra e sulmeve ishte pikërisht aty.
Në mesin e bashkëluftëtarëve që mbronin Gradinën ishte edhe Mentor Morina i cili e dashuronte atë vend, pasi që e njihte terrenin dhe gurin e Gradinës që nga fëmijëria.
Mentori dhe bashkëluftëtarët e tij ishin betuar që Gradina nuk do të rrëzohej dhe nuk do të dorëzoheshin deri në frymën e fundit, pasi që në Malet e Berishës gjendeshin mbi 80 mijë civilë e në rast se Gradina do të binte, do të ndodhnin masakra të mëdha, mirëpo betimin që kishin dhënë e mbajtën dhe nuk lejuan forcat okupatore të hynin në Gradinë dhe në Malet e Berishës.
Forcat e armatosura serbe kishin bërë prapë aksion për të marrë Gradinën, ku kishin arritur t’i afroheshin ushtarëve të UÇK-së. Luftimet po bëheshin në distanca tepër të afërta, shumë pak metra i ndanin luftëtarët e UÇK-së me forcat serbe.
Mentori me snaiperin e tij ishte i pandalshëm, me ç’rast u bënri dëme të mëdha forcave serbe.
Gjatë këtyre luftimeve, një plumb kishte goditur Mentorin, duke rënë heroikisht në altarin e lirisë, për të mos vdekur kurrë.
Po atë ditë në mbrojtje të Gradinës dhe vendeve përreth, ranë edhe dëshmorët, Halim Bajraktari, Islam Kastrati, Mentor Gashi dhe Ramadan Bytyçi.
Në pllakën përkujtimore, në kompleksin përkujtimor të dëshmorëve të lirisë, në qendër të Bushatit është shkruar emri i Mentorit dhe 12 dëshmorëve të tjerë.
Familja e dëshmorit Mentor Morina është dekoruar me Mirënjohje nga Ministria e Brendshme e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës e asaj kohe, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së- TMK-së, nga Kuvendi Komunal i Drenasit dhe nga nëndega e Bushatit e Rinisë Demokratike të Kosovës.
Më datë 2 mars të vitit 2020, mori Urdhërin “Heroi i Kosovës”.