Metë Krasniqi (15.11.1972-24.5.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit,ideali i të cilit do të vazhdojë jetën përherë në Kosovë, ideal ky për të cilin nuk kurseu as jetën.
Jeta dhe familja
Metë Krasniqi u lind në fshatin Turjakë, komuna e Pejës. Shkollën fillore e kreu në Baran. Më tutje nuk vazhdoi, për shkaqe ekonomike. Iu përkushtua familjes, punoi tokën si bujk i vyeshëm. Prindërit e tij, Lush dhe Shkurte Krasniqi kishin gjashtë fëmijë: tre djem dhe tri vajza. Meta ishte fëmija më i vogël. Familja e dëshmorit ishte bujare, e nderuar, e respektuar nga fshati. Babagjyshin e Metës para shumë vjetësh e kishin vrarë serboçetnikët. Andaj, nuk është e rastit që familja e Metë Krasniqit, e cila ndrynte një mllef të inkuadrohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në fillim të saj.
Veprimtaria
Qysh në maj të vitit 1998 Metë Krasniqi, bashkë me fshatarët e tij, iu bashkëngjit Njësitit të UÇK-së të fshatit Turjakë, ndërsa në vitin 1999 inkuadrohet në Brigadën 132 në fillim, e më vonë e gjejmë të rregullt në Brigadën 135 “Agim Zeneli” ku qëndroi derisa u plagos. Gjatë luftës Metë Krasniqin e gjejmë ndër luftëtarët në fillim në Turjakë, e më vonë në Jabllanicë, në Zhebël dhe së fundi në Buqan. Ishte pjesëmarrës në disa beteja. Ishte përcjellës i forcave ushtarake të UÇK-së në vijën Buqan-Turjakë-Rosujë-Tërstenik.
Rënia heroike
Metë Krasniqi vritet më 24 maj 1999 në Bjeshkët e Bogiqes,kur arrin në Bjeshkën e Belegut, në të ashtuquajturën Zonë kufitare Bugiqe. Ai bie në pritë të forcave serbe, ku pas një rezistence disaorëshe, në tërheqje e sipër, bie heroikisht në fushën e lavdisë, me ç’rast plagosen edhe disa shokë lufte e ndër ta edhe komandanti Avdyl Mushkolaj.
Pas rënies heroike
Në qafë të Bogiqes në trekëndëshin kufitarë, është vendosur pllaka përkujtimore ku është gdhendur emri i heroit Metë Krasniqi dhe i 15 dëshmorëve të kësaj beteje.
Në shenjë të sakrificës sublime patriotike, familja e dëshmori Metë Krasniqi ka marrë mirënjohje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Shoqatat e dala prej saj.