Ky website është ende në proces të punës!

Milaim H. Beha

Milaim Hetem Beha (05.05.1970 – 02.06.1999)-ishte ushtarë i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës. Carraleva i ka dhënë shumë Kosovës, si në luftërat e mëhershme ashtu edhe në luftën e fundit, duke dhënë shumë trima për të krijuar themelet e shtetit që e gëzojmë sot. Njëri ndër këta trima ishte edhe Milaim Beha, dëshmor i lirisë.

-Jeta dhe Familja 

Milaimi u lind në Carralevën e njohur të historisë shqiptare që i dha Kosovës shumë trima dhe trimëresha për t’i dalë zot vendit dhe për ta mbrojtur nga okupatorët. Milaimi mësimet fillestare i mori në vendlindje, ndërsa gjimnazin e filloi në Shtime dhe e përfundoi më pas në Ferizaj.

Babai Hetemi dhe nëna Hetemja rritën 4 djem dhe dy vajza: Agimin, Milazimin, Milaimin, Blerimin, Lirinë dhe Xhevrien.

Kushtet e vështira familjare, ashtu si shumë shokë të tij, e detyruan Milaimin të largohej nga vendlindja dhe të merrte rrugën e gurbetit për ta ndihmuar familjen e tij financiarisht. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak në ushtrinë okupatore serbe, Milaimi kthehet në vendlindje, por nuk qëndron gjatë. Në vitin 1994, Milaimi shkon në Slloveni për të punuar punë fizike dhe më pas bie në kontakt me një pjesë të inteligjencës shqiptare e cila në Lublanë organizonte aktivitete të ndryshme atdhetare dhe kulturore. Në vitet 1995-1997, Milaimi kalon disa herë kufirin Slloveni-Austri, duke i ndihmuar të rinjtë shqiptarë për të kaluar kufirin ilegalisht, në mënyrë që t’i iknin rekrutimit të obligueshëm për të kryer ushtrinë okupatore serbe. Për këto arsye, ai dënohet disa herë me radhë.

-Veprimtaria 

Me fillimin e luftës së lavdishme të UÇK-së në mars të vitit 1998, Milaim Beha vendos të shkojë në Shqipëri, ku takohet me pjesëtarët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po bënin trajnime të ndryshme dhe po përgatiteshin të futeshin në Kosovë. Në prill të vitit 1998, Milaimi vendoset në Kleçkë dhe pas një kohe kalon në Krojmir.Ai ishte një luftëtar i zoti, një strateg dhe mbi të gjitha i vendosur. Shokët e tij, duke ditur që Milaimi kishte ardhur nga Sllovenia, i vunë nofkën “Slloveni”-ishte ndër të parët në frontet e luftës gjithmonë.

Milaimi, më 14 qershor të vitit 1998, ishte në pikat e para të frontit gjatë përballjes me forcat militare serbe të cilat kishin vendosur të depërtonin në Kodrat e Carralevës. Forcat militare serbe kishin filluar me bombardime të pozicioneve të UÇK-së, ku në këtë kohë ushtarët si: Milaim Beha, Jetë Hasani, Sylë Qeriqi, Halil Olluri, Shukri Buja, e të tjerë, iu kundërpërgjigjën forcave militare serbe duke i zënë në befasi. Nga ky kundërsulm i papritur, forcat militare serbe kthehen mbrapa dhe kishin humbje si në ushtarë ashtu edhe në mjete luftarake. Pas kësaj dite, kjo pikë, pra Gryka e Carralevës, kthehet në një pikë ku bëheshin luftime të ashpra në mes të UÇK-së dhe forcave të armikut.

Në korrik të vitit 1998, Milaim Beha emërohet përgjegjës i togës në pikën ushtarake të Zborcit. Më datën 25 korrik të vitit 1998, në orën 5 të mëngjesit, forcat serbe kishin marrë një aksion me 30 tanke, dhjetëra autoblinda e pizgauerë, me armë të artilerisë së rëndë dhe qindra këmbësorë, sulmojnë me të gjitha forcat pikën ushtarake në Zborc. Pas 10 orë luftimesh që kishin bërë forcat militare serbe me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte rënë dëshmor Ruzhdi Salihu dhe ishin plagosur 5 ushtarë të tjerë. Forcat e UÇK-së, pas kësaj ofensive të korrikut, ishin ripozicionuar në malet e Blinajës në disa pika strategjike të Zborcit dhe Carralevës. Si komandant i togës, Milaim Beha vëzhgonte pikat gjatë gjithë kohës dhe mbante shënime për pozicionimet e reja të armikut.

Në nëntor të vitit 1998, me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, komandant Tahir Sinani, së bashku me Ajvaz Berishën dhe eprorë të tjerë, kishin filluar ushtrimet e pjesëtarëve të njësive speciale të Shtabit të Përgjithshëm. Milaim Beha emërohet zëvendëskomandant i njësive speciale të SHP të UÇK-së.

– Rënia heroike 

Më 2 qershor të vitit 1999, Milaim Beha, së bashku me tre shokët e tij nga Pagarusha, nisen për në Divjakë. Gjatë kalimit tek vreshtat në fshatin Senik, në mbremje, bien në pritë të organizuara nga forcat militare serbe. Milaimi me shokë iu kundërpërgjigjen menjëherë me breshëri plumbash pa ndalur, mirëpo nga këto luftime, i plagosur arrin të tërhiqet nga vendi i ngjarjes vetëm Hafir Kryeziu, ndërsa 3 luftëtarët e tjerë: Milaim Beha, Ejup Kryeziu dhe Kujtim Krasniqi, bien dëshmorë në vendin e ngjarjes për të mos vdekur kurrë. Pas dy ditësh, pjesëtarët e njësive speciale arrijnë të marrin trupat e dëshmorëve Ejup Kryeziut dhe Kujtim Krasniqit, mirëpo jo edhe të Milaim Behës. 12 ditë pas rënies së dëshmorit, trupin e Milaim Behës arrijnë ta gjejnë dhe e sjellin në Divjakë, ku edhe e varrosin me nderime të larta ushtarake më datën 14 qershor në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë.

-Pas rënies heroike

Në nderim të veprës heroike të Milaim Behës, bashkëluftëtarët dhe familjarët kanë zbuluar pllakën përkujtimore në vendin e rënies në Vreshtat e Senikut, dhe në fshatin e tij të lindjes, në Carralevë. Milaim Mehdi Beha u nderua me dekoratën më të lartë të shtetit, me urdhrin “Hero i Kosovës”, në shenjë nderimi për veprën e tij kushtuar lirisë së Kosovës.