Ky website është ende në proces të punës!

Naim Berisha

Naim Berisha (01.01.1977 – 24.05.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit, të cilin bjeshkët e Belegut do ta mbajnë në mend si ditën kur gjaku i tij dhe i 15 viganëve të lirisë, lau çdo thep të shtegut të saj.

Jeta dhe familja

Naim Berisha u lind në fshatin Sferkë e Thatë, komuna e Pejës. Për shkaqe ekonomike kjo familje emigron nga Jashanica në Sferkë të Thatë në vitin 1973. Gjyshi i dëshmorit, Musli Berisha, më 1941 vrau një kriminel serb në fshatin Grapc të Klinës, me ç’rast u dënua më 20 vjet burg. Nga viti 1956 e deri më 1995 anëtarët e kësaj familjeje janë ftuar në polici, janë keqtrajtuar, e madje edhe janë kërcënuar.

Babë Halili e nënë Xhemilja kishin shtatë fëmijë: katër djem e tri vajza.

Naimi shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Kliçinë, ndërsa shkollën e mesme në Tërstenik, dega e Gjeografisë, të cilin e ndërpreu për të iu përgjigjur thirrjes për çlirimin e atdheut.

Veprimtaria

Me fillimin e luftës në Kosovë, Naim Berisha u detyrua ta ndërprejë shkollën, për t’u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Meqë fshati Sferkë ishte i banuar edhe me serbë, në fillim të luftës nuk mundën të organizoheshin si duhet. Mirëpo, më 10 qershor 1998, 20 djem nga Sferka, u nisën për në Shqipëri për armatim. Meqë numri i të rinjve për furnizim ishte i madh, rreth 1500 veta, pritën deri në fund të korrikut të vitit 1998, për të hyrë në Kosovë. Më 30 korrik hynë në Junik bashkë me Bedri Shalën dhe Bekim Berishën, por armët mbetën pa u tërhequr. Në Junik në atë kohë ishte edhe Riçard Hollbruku. U detyrua të kthehet në vendlindje. Mirëpo, më 2 prill të vitit 1999, serbët vendas kërcënuan fshatarët e Sferkës që të largohen nga fshati. Më 6 prill në Tërstenik u zhvillua një luftë e ashpër në mes të forcave serbe dhe pjesëtarëve të UÇK-së. Naimi ndahet nga familja, e cila ishte nisur për në Shqipëri. Me disa të rinj kalon në fshatin Rosujë ku ndodhej kompania e UÇK-së e Batalionit të Parë të Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”, me komandant Avni Shalën. Pas disa ditësh kalon në fshatin Maznik, ku gjindej Komanda e Zonës së Tretë Operative të Dukagjinit. Në Maznik ndodheshin shumë ushtarë të plagosur. Naimi me të vëllanë dhe disa luftëtarë të tjerë paraqitet vullnetarisht që të përcjellë të plagosurit për në Shqipëri. Me urdhër të komandantit të Zonës, Ramush Haradinajt, u emërua eprori Avdyl Mushkolaj që ta bëjë tërheqjen.

Rënia heroike

Në rrugë për në Shqipëri, duke përcjellë të plagosurit që ndodheshin në spitalin ushtarak të Maznikut, më 24 maj Naim Berisha arrin në Bjeshkët e Belegut, në trekëndëshin Kosovë-shqipëri-Mali i Zi. Ishte mjegull e dendur. Të lodhur. Të rraskapitur. Në pikë të ditës, kur u tërhoq mjegulla, të plagosurit dhe përcjellësit u gjendën në pikë të lëndinës. Forcat serbe, nga pusia, shtijnë me rafale armësh në drejtim të tyre. Mbesin të vrarë dhe të plagosur. Shumë u zhdukën. E për disa vite, dëshmori Naim Berisha konsiderohej si i zhdukur.

Pas rënies heroike

Eshtrat e dëshmorit Naim Shala të rënë në Qafë të Bogiqes, u rrëmbyen nga forcat serbe dhe për disa vite rresht u konsideruan të zhdukur. Më vonë u gjetën në varrezën masive në afërsi të Beogradit, në Petrovo Sello.

Dëshmori Naim Berisha është varrosur me nderime të larta ushtarake në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan të Deçanit.

Në shenjë të sakrificës sublime patriotike, familja e dëshmorit Naim Berisha ka marrë mirënjohje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Shoqatat e dala prej saj.

Në shenjë kujtimi për rënien e lavdishme të dëshmorit Naim Berisha, është ngritur përmendore e përbashkët me 14 dëshmorët e tjerë të lirisë në vendin e rënies në Bjeshkët e Belegut.