Ky website është ende në proces të punës!

Nazmi Gradina

Nazmi Gradina (01.03.1973-24.05.1999), ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shërbeu në Zonën Operative të Dukagjinit.

Jeta dhe familja

Nazmi Gradina u lind në fshatin Dashinoc, komuna e Deçanit. Rrjedh nga një familje, e cila asnjëherë nuk u pajtua me regjimin serb. Shpesh ky regjim e keqtrajtoi me pretekst të kërkimit të armëve.

Shkollën fillore e kreu në Ratishë, ndërsa atë të mesme në Deçan. Babai i dëshmorit, Osmani, kishte tetë fëmijë: katër djem dhe katër vajza.

Dëshmori, Nazmi Gradina, ishte i martuar dhe ka lënë pas vetes një djalë.

Veprimtaria

Ka marrë pjesë në protestat gjithpopullore të organizuara kundër regjimit serb, në Deçan, në Pejë e deri në Prishtinë. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u inkuadrua më 23 prill 1998, si ushtar furnizues në Njësinë e Dashinocit. Shtabi i formuar në këtë fshat u vendos në shtëpinë e dëshmorit Nazmi Gradina, ndërsa komandant në Njësitin e fshatit u emërua i vëllai, Isuf Gradina. Dëshmori shërbeu si ushtar furniziues. Në jetën civile ishte teknik i elektros. Më 27 prill të vitit 1998 niset për në Shqipëri për armatim. Rruga ishte e mundimshme dhe me të papritura. Pas shumë mundimesh arrin të sigurojë armë dhe kthehet në vendlindje. Mori pjesë në betejën e Vranocit të Pejës, më 29 maj 1998, ku forcat serbe u thyen keqas. Bashkë me të vëllanë Isufin, më 13 gusht 1998, bashkë me dëshmorin Arben Ahmetaj nga Gllogjani, mori pjesë në sulmin kundër forcave serbe te Shkolla e Irzniqit, ku ra heroikisht Arben Ahmetaj. Nazmiu me të vëllanë, Isufin, bënë tërheqjen e dëshmorit dhe bashkë me shokët e tjerë e varrosën në malet e Ratishit.

Rënia heroike

Përveç betejave të lartpërmendura, Nazmia mori pjesë edhe në luftimet që u zhvilluan në Ratishë, Maznik, Kralan, Loxhë ku tregoi guxim dhe trimëri në kryerjen e detyrave dhe obligimeve që merrte nga eprorët e UÇK-së. Një ndërmarrje e tillë e gjeti në krye të detyrës edhe më 24 maj 1999, kur me urdhër të komandantit Ramush Haradinaj, komandanti Avdyl Mushkolaj me gardën u nis për në Shqipëri me shumë të plagosur që kërkonin kurim, e që ndodheshin në spitalin ushtarak në Maznikë. Rrugës, në trekëndëshin Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi, në Bjeshkët e Belegut, më 25 maj 1999, bijnë në një pritë të forcave serbe, ku pas një lufte të ashpër, plagoset komandanti dhe vriten edhe disa ushtarë. Në mesin e tyre edhe Nazmi Gradina. Eshtrat e katërmbëdhjetë dëshmorëve të rënë në këtë betejë, mbetën në fushëbetejë dhe u morën nga forcat serbe.

Për disa vite ata u konsideruan të zhdukur. Më vonë u gjetën në varrezën masive në afërsi të Beogradit, në Petrovo Sello. Pas riatdhesimit në Kosovë, u identifikuan në morgun e Rahovecit dhe Nazmi Gadina bashkë me bashkëluftëtarët e tij u varrosën me nderime të larta ushtarake në atdheun e tyre.

Pas rënies heroike

Në shenjë të sakrificës sublime patriotike, familja e dëshmorit Nazmi Godina ka marrë mirënjohje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Shoqatat e dala prej saj.