Ky website është ende në proces të punës!

Përparim Shala

Përparim Shala (10.05.1983.-24.05.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit, i cili në lule të rinisë ra në altarinë e lirisë.

Jeta dhe familja

Dëshmori gjashtëmbëdhjetëvjeçar Përparim Shala u lind në fshatin Prapaqan, komuna e Deçanit. Përparimi, si fëmijë më i madh i Qazim dhe Dushe Shalës, i ka edhe pesë vëllezër më të rinj dhe një motër.

Shkollën fillore e kreu në Prapaqan, ndërsa shkollën e mesme që e filloi në gjimnazin e Deçanit, të cilin e ndërpreu për të nisur tjetër kapitull të jetës, filloi ta ndjekë idealin e tij që e kishte të brumosur mbrenda vetes.

Veprimtaria

Pasi e ndërpreu gjimnazin në vitin e parë, Përparim Shala iu bashkëngjit në luftë babait Qazim dhe axhës Erzenit, të cilët ishin inkuadruar qysh më herët në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si nxënës i shkollës fillore Përparim Shala ndjente një urrejtje të thellë në shpirt ndaj serbëve e malazezëve që bënin tortura ndaj bashkëkombasve. Mu kjo e frymëzoi dhe u bë shkas për inkuadrim në radhët e UÇK-së, në njësitin që e komandonte Avdyl Mushkolaj. Një vulë të madhe e të pashlyeshme në shpirtin e njomë të Përparim Shalës kishin lënë edhe rrëfimet në familje, ku stërgjyshi i tij, Ibish Hamza, si luftëtar, kishte bërë rezistencë në Qafë të Çakorrit, për të mos lejuar hordhitë serbomalazeze të hynin në tokën e Kosovës. Edhe xhaxhai i tij, Uka, ishte luftëtar i njohur në luftërat kundër okupatorit serbomalazez. Përparim Shala edhe pse ishte i ri, me vetëm 16 vjet mbi supe, i njomë e i zjarrtë në shpirt, ishte pajisur me ide patriotike. Edhe babai i tij, Qazimi, ishte pjesëtar aktiv në Njësitë e UÇK-së të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” prej muajit dhjetor 1998.

 

Rënia heroike

Gjatë bartjes së të plagosurve për në Shqipëri, në trekëndëshin Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi, në një pritë që kishin zënë forcat çetnike më 24 maj 1999, vritet filizi i njomë, luftëtari i lirisë, Përparim Shala.

Pas rënies heroike

Eshtrat e dëshmorit Përparim Shala të rënë në Qafë të Bogiqes, u rrëmbyen nga forcat serbe dhe për disa vite rresht u konsideruan të zhdukur. Më vonë u gjetën në varrezën masive në afërsi të Beogradit, në Petrovo Sello. Dëshmori Përparim Shala është identifikuar nëpërmjet analizës së ADN-së dhe më 20 gusht 2007, është varrosur me nderime të larta ushtarake në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan të Deçanit.

Në shenjë kujtimi për rënien e lavdishme të dëshmorit Përparim Shala, është ngritur pllakë përkujtimore në vendlindjen e tij në Prapaçan dhe përmendore e përbashkët me 14 dëshmorët e tjerë të lirisë në vendin e rënies në Bjeshkët e Belegut.

Heroizmit të Përparimit i janë kushtuar këngë e poezi.