Qazim Shala (10.03.1955 – 05.04.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit, gjaku i të cilit u bë themel i shtetit të Kosovës.
Jeta dhe familja
Qazim Shala u lind në fshatin Prapaçan, komuna e Deçanit. Rrjedh nga një familje me tradita patriotike.Babai i tij Hamza, u keqtrajtua në stacionin policor të Isniqit me pretekst të kërkimit të armëve. Nga keqtrajtimet fizike që iu bënë, u detyrua t’i blejë tri armë dhe t’i dorëzojë. Mu për këtë pushteti dhe regjimi serb në Kosovë, këtë familje e mbante në shënjestër përherë.
Prindërit Hamëz dhe Ajshe Shala kishin nëntë fëmijë: pesë djem dhe katër vajza. Dëshmori Qazim Shala ishte fëmija i parë në mesin e tyre.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Për shkaqe ekonomike, si dhe se ishte fëmija i parë, u detyrua të qëndrojë pranë familjes duke u rropatur për një ekzistencë jetësore. Mori pjesë në të gjitha protestat dhe revoltat popullore që nga viti 1989 e deri në fillimin e Luftës në Kosovë.
Në jetën civile u morë me bujqësi dhe ishte bujk i vyeshëm.
Ishte i martuar dhe ka lënë pas vetes shtatë fëmijë: gjashtë djem dhe një vajzë.
Veprimtaria
Me daljen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në skenë, edhe Qazim Shala u gjend në radhët e saj. Në radhët e UÇK-së u gjend edhe i biri, Përparim Shala. Në maj të vitit 1998 u inkuadrua në Shtabin lokal të UÇK-së, me komandant Avdi Krasniqin nga Prapaçani. Më 2 maj u nis bashkë me 60 rekrutë të rinj për armatim në Shqipëri ku pas gjashtë ditësh u kthyen në vendlindje të armatosur. Në Shtabin e Prapaçanit kreu detyra ushtarake, si roje, vëzhgime etj. Mori pjesë në betejën e Loxhës në korrik të vitit 1998, përkatësisht edhe në betejën e gushtit, në atë të Kryshecit në maj etj. Në këtë Shtab veproi deri më 8 shtator 1998 kur luftëtarët e Prapaçanit i dorëzuan armët dhe njëherësh u shpartallua Shtabi i Prapaçanit. Mirëpo, Qazim Shala nuk i dorëzoi armët personale. Më 20 dhjetor 1998, Qazim Shala me të bijtë dhe me vëllezërit, në malet e Kryçit të Rakocit kontaktoi me pjesëtarët e UÇKsë, përkatësisht me Shkëlzen Harainajn, ku menjëherë u inkuadrua në Brigadën 131 “Jusuf Gërvalla”. Meqë me profesion ishte kuzhinier, menjëherë u inkuadrua në kuzhinën e UÇK-së në Ratishë.
Rënia heroike
Më 5 prill të vitit 1999, forca të mëdha serbe ndërmorën një ofensivë të ashpër kundër pozicioneve të UÇK-së në Ratishë, Lumbardh, Dashinoc, Maznik, Jabllanicë, Gërgoc, Kralan etj. Me urdhër të komandantit Ramush Haradinaj u urdhërua Brigada 131 për tërheqjen e të plagosurve nga spitali ushtarak i Zhebelit për në Istog. Brigada 131 nën komandën e Daut Haradinajt u nis për në Istog. Shefi i Brigadës, Naim Mustafaj me disa ushtarë u nis për në fshatin Turjakë të Pejës në drejtim të Istogut. Me të ishin shumë ushtarë dhe civilë. Në këtë kolonë ndodhej edhe dëshmori Qazim Shala. Kur mbërrijnë në mes të fshatrave Kotradiq dhe Vranoc, forcat serbe ndodheshin të stacionuara në Gllavicë të Vranocit. Civilët shpërndahen në drejtime të ndryshme. Natyrisht, pati të plagosur dhe të vrarë nga forcat serbe. Nga data 5 prill e vitit 1999, Qazim Shala u zhduk dhe nuk dihej asgjë për fatin e tij vite më radhë.
Pas rënies heroike
Pas përfundimit të luftës, më 2010, saktësisht, pas njëmbëdhjetë vjetësh, eshtrat e dëshmorit Qazim Shalës u gjetën në Lybeniq të Pejës dhe më 14 tetor 2010, u varros në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan, pranë trupit të djalit të tij dëshmor, Përparimit, luftëtar i Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” e më pas i Batalionit të Tretë Gardist “Shkëlzen Haradinaj” të ZOD-it.
Familja e dëshmorit Qazim Shala është nderuar me mirënjohje të shumta. Për babë e birë, në shenjë përkujtimi u është ngritur pllakë përkujtimore edhe në vendlindjen e tyre në Prapaçan.
Gjithashtu, kujtimi për heroin është përjetësuar me shkrime në librin “Të pavdekshmit e Dukagjinit”, në revista e gazeta të ndryshme, etj.