Ky website është ende në proces të punës!

Ruzhdi I. Salihu

Ruzhdi Salihu (15.08.1961 – 26.07.1998) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por që aktivitetin e tij kundër regjimit kriminal serb e kishte nisur qysh në moshë të hershme, për çfarë edhe kishte rënë në sy të regjimit të asaj kohe.

  • Jeta dhe familja

Ruzhdi Slihu u lind më 15 gusht të vitit 1961, në fshatin Zborc të komunës së Shtimes. Ai shkollën katëvjeçare e kishte mbaruar në fshatin e tij të lindjes, kurse për të vazhduar më pas shkollimin e mëtejmë fillor në Caralevë. Tutje, vazhdoi edhe shkollën e mesme, ku dy vitet e para të shkollimit të mesëm i përfundoi në Shtime, ndërkaq dy të fundit në Ferizaj.

I shtyrë nga gjendja e rëndë ekonomike e familjes, ai nuk arriti të fillonte universitetin, por filloi punë Zrenjanin të Vojvodinës bashkë nme të vëllain, Elmiun.

  • Veprimtaria

Përkundër kushteve ekonomike, ai e la punën për t’u rikthyer në Kosovë dhe për të ju bashkuar shumë të rinjve të cilët kishin pushtuar rrugët gjithandej qyteteve të Kosovës, përmes protestave dhe demonstrative.

Aktiviteti i tij nuk kishte mbetur pa u rënë në sy policisë së asaj kohe, të cilët e kishin marrë në shënjestër dhe po e përcillinin vazhdimisht aktivitetin e tij.

Atë botë, guximi për të fituar lirinë, filloi të shfaqej kudo në Kosovë. Të rinjtë e të rejat po rreshtoheshin në radhët e UÇK-së për të marrë armët e lirisë në shenjë kundërshtimi ndaj shtypjes, terrorit dhe okupimit serb. Ky guxim u pa edhe në fshatrat e Shtimes. Në Zborc, fillimisht, pjesëtarët e UÇK-së dolën me maska në kokë. Qëllimi i shfaqjes së tyre në këtë fshat ishte dhënia e mesazhit për mobilizim për çlirim të vendit.

Këtij mobilizimi i ishin përgjigjur të rinj të shumtë.

Njëri nga ta ishte edhe Ruzhdi Salihu, i cili në muajin qershor të vitit 1998, kishte vendosur t’i bashkohej radhëve të UÇK-së, por që kontaktin e parë me krerë të saj e kishte pasur në prill të po atij viti.

Në qershor të vitit 1998, shtëpia e Ruzhdiut dhe familjes së tij në Zborc ishte shndërruar në pikën e parë të UÇK-së në këtë fshat.

Ai ishte caktuar në Togën e parë të luftës, në vendin e ashtuquajtur “Kodra e Hanit”, afër shkollës së fshatit, kurse pika e pozicionit të tij dhe bashkëluftëtarëve ishte vendosur përballë pozicioneve të ushtrisë serbe.

  • Rënia heroike

Më 24 korrik 1998, ushtarët e UÇK-së në pikat e Zborcit, Krojmirit, Shalës, Pjetërshticës dhe Carralevës kishin marrë informacione se të nesërmën do të pritej një ofensivë e fuqishme e ushtrisë serbe e vendosur në atë zonë.

Pikërisht një ditë më pas, forcat ushtarake serbe kishin filluar granatimin e fuqishëm duke e bllokuar kështu edhe lëvizjen dhe zhvendosjen e popullatës civile, të cilët kishin mbetur në rrethim.

Deri në fund të ditës, ushtria serbe kishte avancuar deri në lagjen Badraj dhe ishin vetëm disa metra larg ushtarëve të UÇK-së, të cilët opo bënin rezistencë të fuqishme.

Më 26 korrik, ushtria serbe nisi sulmin e drejtpërdrejtë në pozicionet e UÇK-së dhe në një luftim shumë të afërt dhe të ashpër, Ruzhdi Salihu kishte mbetur i plagosur rëndë, kurse të plagosur kishin mbetur edhe bashkëluftëtarët e tij, Sabit Nuredini, Brahim Brahimi, Osman Zeqiri dhe Haxhi Nishori.

Bashkëluftëtarët e kishin tërhequr trupin e plagosur të Ruzhdiut, por plaga e tij e rëndë e kishte bërë që të humbte shumë gjak., dhe, ndonëse ishte dërguar në pikën shëndetësore të UÇK-së në fshatin Gajrak, megjithatë nuk kishte arritur të mbijetonte dot.

Ai u bë dëshmori i parë i Shtimes, i cili ra për lirinë e Kosovës.

Dëshmori Ruzhdi Salihu ishte varrosur të nesërmen në fshatin Risinoc, në praninë e familjes dhe bashkëluftëtarëve.

Pas rënies heroike të të birit, babai i tij, Islami, ndonëse i shtyrë në moshë, kishte marrë armën e tij dhe e kishte vazhduar luftën për çlirim të Kosovës, për të çuar amanetin e të birit në vend.

  • Pas rënies heroike

Pas përfundimit të luftës, dëshmori  Ruzhdi Saliu u rivarros në korrik të vitit 2000, në Kompleksin e Varrezave të fshatin Kleçkë, ku janë varrosur edhe 66 dëshmorët e Brigadës 121 – Ismet Jashari – Kumanova.

Në vjeshtën e vitit 1998, pas ristrukturimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, batalioni i dytë i kësaj brigade u emërua në emrin “Ruzhdi Salihu.

Për të nderuar veprën e tij, një rrugë në Prishtinë mban emrin e tij.