Sadik Shala (17.04.1966 – 19.07.1998) ishte një ndër luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatrat rrëzë maleve të Berishës dhe në trevën e Llapushës.
Sadiku u lind në Kleçkë. Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindje në Lladroc, kurse atë të mesëm në Banjë të Malishevës dhe Lipjan.
Ai ishte i biri i Hafir dhe Habibe Shala, kurse ishte i martuar dhe pas vetes la bashkëshorten Eminen, si dhe pesë fëmijët: Minatorin, Mentorin, Abetaren, Kosovaren dhe Qëndresën.
Pasi familja e tij jetonte në kushte të rënda ekonomike, ai u detyrua të merrej me bujqësi për t’u përkujdesur për familjen e tij.
Në kërkim të një jete më të mirë, ai u detyrua të emigronte në Zvicër në vitin 1985, ku qëndroi deri në vitin 1991.
Edhe pse ishte larg atdheut, ai asnjëherë nuk ndaloi së menduari dhe vepruari për vendin e tij, duke marrë pjesë në çdo protestë e demonstratë që zhvillohej kundër pushtuesit serb.
Pikërisht për shkak të veprimtarisë së tij, ai dhe vëllai i tij, Bajrami, ishin arrestuar nga forcat serbe, të cilat e kishin rrethuar shtëpinë e tij, nën pretekstin e fshehjes së armatimit.
Në vitin 1997, ai kishte filluar kontaktin e parë me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku edhe ishte future në radhët e UÇK-së.Nga mesi i muajit mars 1998, në odën e tij u formua njësiti gueril, “Çeliku”, ku ai edhe dha një kontribut të jashtëzakonshëm.
Ai udhëhoqi me shumë sukses sektorin e furnizimit me armatim të njësiteve të Brigadës 121 dhe të Zonës Operative të Pashtrikut.
Sadiku së bashku me vëllezërit e tij kishin shkrirë tërë pasurinë e tyre dhe e kishin vënë në shërbim të ushtarëve të UÇK-së.
Ai ishte përherë pranë bashkëluftëtarëve të tij dhe mori pjesë në shumë beteja, e sidomos aksione guerile kundër forcave serbe.
Më 9 maj 1998, beteja frontale në Grykën e Llapushnikut ishte ndër betejat më të rëndësishme të UÇK-së. Sadiku mori pjesë edhe në beteja të tjera, si Beteja e Luzhnicës, ajo e Rahovecit, si dhe aksione të ndryshme guerile
Më 25 qershor të vitit 1998, ai, së bashku me bashkëluftëtarët Fatmir Limaj, Haxhi Shala, Selim Krasniqi, Nexhmi Shala, Refki Mazreku dhe Gani Paçarizi, morën pjesë në aksionin kundër postbllokut të policisë serbe në Duhël, ku forcat serbe kishin pësuar shumë humbje.
Tri katër ditë më vonë, njësiti “Çeliku”, ku bënte pjesë edhe Sadiku, kreu aksionin tjetër në stacionin e policisë në Shtime.
Ndër betejat më të rëndësishme ku mori pjesë drejtpërdrejt Sadik Shala së bashku me bashkëluftëtarët e tij, nën komandën e Ismet Jasharit, ishte edhe ajo e Luzhnicës.
Në verën e vitit 1998, në qafë të Duhlës, nën drejtimin e Ismet Jasharit, Sadik Shalës dhe bashkëluftëtarëve të tjerë u realizua një ndër aksionet më të suksesshme të UÇK-së në Zonën e Pashtrikut kundër makinerisë ushtarake serbe.
Ai gjatë luftës ndihmoi bashkëluftëtarët e tij edhe në zonat operative të Nerodimes, Drenicës, Dukagjinit, e shumë zonave të tjera.
Më 17 korrik të vitit 1998, në Rahovec, forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga entuziazmi i madh për të çliruar këtë qytet, u futën në të, duke i detyruar kështu forcat serbe të dorëzoheshin. Bashkëluftëtarëve të tij u kishin ardhur në ndihmë edhe ushtarët e njësitit “Çeliku”, të Brigadës 121, ku në mesin e tyre ishte edhe Sadik Shala. Ata luftuan heroikisht në mbrojtje të popullatës civile të qytetit të Rahovecit.
Atë ditë në Rahovec ishte zhvilluar një betejë e ashpër frontale ndërmjet ushtarëve të UÇK-së dhe forcave serbe.
Ushtria serbe kishte sjellë përforcime të reja dhe kishin sulmuar ushtarët e UÇK-së nga të gjitha anët. Në këtë betejë kishin rënë Sadik Shala, Liman Gegaj, Afrim Krasniqi, Agim Çelaj, Gani Paçarizi, Hamdi Berisha dhe Abdullah Bugari.
Për shkak të luftimeve tejet të ashpra dhe nga afërsia, me gjithë sakrificën e bashkëluftëtarëve, nuk kishin arritur t’i merrnin trupat e pajetë të dëshmorëve të rënë. Mirëpo, me urdhërin e komandant Fatmir Limaj, Beqir Hoxha me bashkëluftëtarët e tij, në varrezat e Prizrenit, natën kishin zbuluar varrin e Sadik Shalës dhe e kishin tërhequr trupin e tij për ta rivarrosur me nderime të larta ushtarake në Kleçkë.
Në vendin e rënies së Sadik Shalës dhe të dëshmorëve të tjerë, të cilët u flijuan për lirinë e Rahovecit është ngritur lapidari që mban të skalitur emrat e tyre.
Në nderim të veprës së tij, një rrugë në komunën e Lipjanit mban emrin e Sadik Shalës, teksa në vitin 2023, u përurua Palestra Sportive e qytetit të Lipjanit, e cila mori emrin “Tre dëshmorët e Kleçkës”.