Ky website është ende në proces të punës!

Sahit Xh. Tixhaj

Sahit Tixhaj (01.02.1974 – 23.05.1999) ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse aktiviteti i tij në mbrojtje të atdheut e kishte fillur menjëherë pas daljes së UÇK-së në publik.

  • Jeta dhe familja

Familja e Sahitit kishin prejardhje nga fshati Papaz i Therandës, duke u vendosur në Vershec, por në vitin 1981 ishin vendosur në Prizren.

Shkollën fillore e kreu në Prizren, e nga të gjitha lëndët, ai e donte shumë lëndën e historisë, por shkollimin e mesëm nuk e vazhdoi.

Ai ishte biri i Xhemajl Bajram Tixhaj dhe Vahide Kyçyku, të cilët nga martesa e tyre kishin gjashtë fëmijë: Enverin, Hanifen, Bajramin, Jalldyzen, Fadilin dhe Sahitin.

Sahiti ishte një fëmijë i qetë dhe fjalëpak, ai shumë herët e kishte kuptuar se sa i padrejtë ishte pushtuesi serb dhe shpesh kishte thënë: ”Këta gjakpirësa vetëm përmes grykës së pushkës mund t’i heqim qafe”.

  • Veprimtaria

Pas rënies heroike të familjes Jashari, më datat 5, 6 dhe 7 mars 1998, si dhe me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sahiti menjëherë inkuadrohet njëri ndër të parët në radhët e UÇK-së, në Brigadën 121.

Ai luftën e filloi duke shkuar me shumë luftëtarë të tjerë për të bartur armatim dhe municion nga Shqipëria. Ai për armatim dhe municion shkoi dhe herë të tjera, ndërsa hera e fundit ishte me 3 nëntor të vitit 1998.

Përveç armëve, ai mori pjesë në beteja dhe aty ku kishte nevojë, ai ishte gjithmonë i pari. Sahiti ishte sy patrembur, një djalë që në beteja fillonte i pari dhe largohej i fundit.

  • Rënia heroike

Më 23 maj të vitit 1999, forca të shumta e kishin rrethuar Bajrakun e Luzhnicës, ku si qëllim kishin rrafshnaltën, por Sahiti me shumë trima që po zhvillonin luftën kundër armikut, në një përleshje të ashpër, bashkë me dy shokët e tij të armës, Sahiti i patrembur ishte futur pa u diktuar deri në zonën e postbllokut të forcave armike dhe pas një lufte me forcat serbe, të cilave u kishte shkaktuar dhjetra të vrarë e të plagosur, kishte marrë plagë vdekjepurëse dhe kishte rënë heroikisht në fushën e nderit, mu aty ku një vit më parë kishte rënë komandanti Ismet Jashari-Kumanova, Habib Zogaj, e shumë trima tjerë.

Trupin e pajetë të Sahit Tixhaj arritën ta tërhiqnin shoku i tij, Muhamet Kyçyku, së bashku me luftëtarë të tjerë.

  • Pas rënies heroike

Më 24 maj të vitit 1999, Sahiti u varros me nderime ushtarake, në Varrezat e Dëshmorëve, në fshatin Kleçkë.

Gjatë varrimit, babai Xhemajli dhe nëna Vahidja me djem dhe vajza, dhimbjen për të birin po e kthenin në forcë dhe krenari.

Edhe pse ishte një dhimbje e madhe për ta sepse ata pas mbarimit të luftës ëndërronin dasmën e tij, me të fejuarën që la pas.