Sami Gashi (02.12.1972-21.06.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili kishte ide patriotike dhe ishte rritur me ndjenjën e atdhedashurisë qysh nga fëmijëria e hershme.
Sami Gashi u lind më 2 dhjetor të vitit 1972, në fshatin Arllat të komunës së Drenasit (ish-Gllogoc), nga babai Dauti dhe nëna Sevdija.
Ai shkollën fillore e kreu në shkollën e fshatit të tij të lindjes, kurse të mesmen e kreu në Drenas.
Qysh nga shkolla e mesme, ai ishte marrë me shpërndarjen e Alternativës dhe Trakteve të ndryshme ku shkruhej “Kosova Republikë”, si dhe ishte pjesëmarrës në demostrata te organizuera në Drenas (ish-Gllogoc), në vitet 1989-1990, si dhe mori pjesë aktivisht në protesta dhe demonstrata të organizuara në qytetin e tij të lindjes për të kundërshtuar regjimin serb.
Në këto demostrata, Samiu ishte organizator dhe pjesëmarrës me shokët e tij, tani dëshmorë te lirisë, si Abedin Bujupi, Sylejman Bytyçi, Fehmi Gashi e Muharrem Xhemaili.
Për këtë veprimtari patriotike, ai u arrestua nga policia serbe dhe u mor në pyetje, për çfarë edhe ishte përjashtuar për disa ditë nga shkolla.
Pas rënies, dëshmori Sami Gashi la pas vetes prindërit dhe anëtarët tjerë të familjes së tij.
Kontaktet e para me UÇK-në, Samiu i pati në muajin qershor të vitit 1998, ku kreu ushtrimet ushtarake të organizuara në shkollën e Arllatit.
Në tetor të vitit 1998, ai iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pranë Brigadës 121, “Ismet Jashari – Kumanova”, në njësinë “Çeliku”.
Ai mori pjesë në aksione kundër forcave armike serbe në Arllat, Berishë dhe Llapushnik.
Shokë të skuadrës së tij ishin Lulëzim Gashi, Hysen Gashi, Avdullah Gashi, Ismail Gashi, Gazmend Gashi, Bekim Bytyçi, Hysni Gashi, Sami (Ferat) Gashi dhe Imer Thaqi.
Ishte udhëheqës (Komandant) i Skuadrës II, në Togun e parë (Komandant Osman Krasniqi), në Kompaninë e Parë (Komandant Elmi Sopi), në Batalionin e Parë (Komandant Imer Alushani), në “Brigaden 121” (Komandant Haxhi Shala).
Dëshmori Sami Gashi ka rënë më 21 qershor të vitit 1999, përderisa ishin duke bërë pastrimin e territorit dhe largimin e minave (kasetë-bombave) nga oborri i shkollës fillore të Arllatit, që tani mban emrin e shokut të tij, Abedin Bujupi.
Përpos Samiut, me të ranë edhe Osman Krasniqi, rapsodi Milazim Gashi dhe ka mbetur i plagosur me 35 plagë në trup edhe Hysen Gashi, tani invalid i luftës.
Në këtë ngjarje, së bashku me ta vdiqën edhe dy ushtarë anglezë të KFOR-it.
Trupi i dëshmorit Sami Gashi prehet në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë.
Për të nderuar veprën dhe guximin e tij, familja e dëshmorit Sami Gashi është dekoruar me Dekorata të Mirënjohjes nga Ministra e Mbrojtjes e Kosovës, nga Kuvendi Komunal i Drenasit dhe nga shoqatat e dalura nga lufta të qytetit të Drenasit.