Ky website është ende në proces të punës!

Shemsi Muslijaj

Shemsi Muslijaj (01.05.1958-09.05.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shёrbeu nё Zonёn Operative tё Dukagjinit. Shemsiu, bashkë me dy vëllezërit e tij, ranë në krye të detyrës, për t’u përjetësuar përgjithmonë në historiografinë e popullit tonë.

Jeta dhe familja

Dëshmori i tretë përkatësisht vëllai i tretë, Shemsi Muslijaj u lind në fshatin Shaptej, komuna e Deçanit. Prindërit Ukë dhe Xhyke Muslijaj, siç u përmend edhe te dy dëshmorët, përkatësisht te dy vëllezërit, Azem dhe Bajram Muslijaj, kishin shtatë fëmijë: gjashtë djem dhe një vajzë.

Shemsi Muslijaj shkollën fillore e kreu në fshatin Gramaçel, të mesmen në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, ndërsa studimet i vijoi në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës.

Shemsiu ishte i martuar dhe la pas vetes gjashtë fëmijë: katër vajza dhe dy djem. Më 1981 Shemsiu shkoi të punojë në Slloveni, prej nga më vonë kaloi në Zvicër.

Veprimtaria

Zërit të atdheut për t’u çliruar nga regjimi serb, Shemsi Muslijaj iu përgjigj pas ofensivës së shtatorit. U kthye në vendlindje bashkë me familjen ku qëndroi si gjysmëilegal. Më kthimin e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” në Gllogjan, më 28 tetor 1998, vëllezërit Muslijaj disa herë kontaktuan me komandën e kësaj Brigade, ku morën detyra të rëndësisë së veçantë, si vëzhgime, informime rreth koncentrimit të forcave serbe në Sukë të Biteshit etj. Gjatë vitit 1999 disa herë u dolën në ndihmë njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shemsi Musliu së bashku me vëllezërit mbajti edhe vijën e frontit në vendlindje, në Shaptej, ku forcat serbe vazhdimisht sulmonin nga Suka e Biteshit. Mori pjesë edhe në luftimet që u zhvilluan në mes të njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe atyre të forcave militare e policore serbe, si në Prejlep, Carrabeg etj.

Rënia heroike

Në pranverën e vitit 1999 me urdhër të Shtabit të Dukagjinit, Shemsi Muslijaj së bashku me njësitin, u morën me vëzhgimin e terrenit. Dhe, pas shumë operacioneve, erdhi edhe dita e lavdisë, ajo e rënies heroike në krye të detyrës, së bashku me të dy vëllezërit, Bajramin dhe Azemin, si dhe me Rifat Beqirajn, duke rënë në një pritë që armiku ua kishte zënë, pikërisht në vendin e quajtur Shavaret e Gramaçelit.

Pas rënies në altarin e lirisë, trupat e tre vëllezërve dëshmorë u varrosën në vendlindjen e tyre.

Pas rënies heroike

Më 10 dhjetor 2008, vëllezërit: Shemsi, Bajram e Azem Muslijaj, Bekë Sadri Muslijaj u rivarrosën me nderime të larta, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan.

Për heroizmin dhe sakrificën e dëshmorit Bajram Muslijajt dhe dy vëllezërve dëshmorë janë ndarë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Zona Operative e Dukagjinit, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së etj.