Skënder Gegaj (06.08.1981-13.05.1999) ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shërbeu në Zonën Operative të Dukagjinit.
-Jeta dhe familja
Skënder Gegaj u lind, në fshatin Turjakë, komuna e Pejës. Kjo familje në vitin 1972 erdhi në Turjakë nga fshati Novosellë, komuna e Malishevës.Skënderi rrjedh nga një familje atdhetare e cila ishte përballur shumë herë me armikun.
Shkollën fillore e kreu në Kryshec të Pejës, ndërsa shkollën e mesme nuk e vazhdoi për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Prindërit, Shaban e Zelfije Gegaj, kishin tetë fëmijë: katër djem dhe katër vajza. Kjo familje merrej me bujqësi për të siguruar ekzistencën. Skënderi ishte vëllai i tretë me radhë. Edhe ky, si bujk, merrej me bujqësi.
Veprimtaria
Me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafsh të Dukagjinit, Skënder Gegaj kishte dëshirë të zjarrtë t’i bashkangjitej asaj. Njëkohësisht, ky luftëtar ishte i angazhuar në mbrojtjen e fshatit Turjakë. Për katër muaj me radhë bëri roje në Pikën Turjakë-Dobërdol. Dhe, dëshira iu plotësua, pikërisht më 1 shkurt të vitit 1999, kur inkuadrohet në radhët e UÇK-së, në Shtabin e fshatit Jabllanicë, në Brigadën 132 “Myrtë Zeneli”. Për sa kohë u gjend në këtë brigadë, ishte luftëtar i përkushtuar me mish e me shpirt. Mori pjesë në betejën e Jabllanicës, në Pikën e Shqiponjës të këtij fshati, në Maznikë, në Buçan, në Zhabël, në Prigodë, në Radavc, në Vrellë, në Ozrim dhe përsëri në Jabllanicë.
Rënia heroike
Më 13 maj 1999, dëshmori Skënder Gegaj vritet nga forcat serbe në fshatin Llugagji, në momentin kur po i afrohej vendit të demoluar më parë.
Varrimi i tij u bë në malet e Maznikut. Ndërsa, rivarrimi më 24 gusht 1999, në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Gllogjan të Deçanit.
Pas rënies heroike
Familja e dëshmorit Skënder Gegaj është nderuar me mirënjohje nga shoqatat e dala nga lufta dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së.