Ky website është ende në proces të punës!

Sylejman Xh. Bytyçi

Sylejman Bytyçi (07.02.1973 – 29.04.1999) ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse aktiviteti i tij në mbrojtje të atdheut kishte filluar qysh në moshë të hershme.

  • Jeta dhe familja

Sylejman Bytyçi (Syla) u lind në Arllat të Drenasit (ish-Gllogoc). Ishte i biri i Xheledinit dhe i Hanifes. Xheledini i kishte tre djem dhe tri vajza.

Shkollën fillore e kreu në lagjen e Bytyçëve deri në klasën e IV dhe e përfundoi në Terpezë. Kurse, shkollën e mesme e vazhdoi në Drenas, por më 7 nëntor ishte burgosur për shkak të pjesëmarrjes në demonstratat e vitit 1989, ku për dy ditë ishte maltretuar në stacionin e policisë në Drenas, dhe më vonë, ishte dënuar me 10 ditë burg.

Për shkak të rezistencës për të shkuar në burg, ishte detyruar të largohej nga shkolla.

Më vonë, më 25 maj 1992, kishte filluar punën si punëtor teknik në paralelen e ndarë të shkollës fillore “Emin Duraku”, në Arllat, në lagjen e Bytyqëve, ku punoi deri më 31 dhjetor 1996.

Më 18 maj të vitit 1998 ishte martuar me Fitneten nga Balinca, e nga kjo martesë u lindi djali Bledari më 10 mars të vitit 1999.

  • Veprimtaria

I frymëzuar nga familja e tij patriotike, Sylejmani i pati kontaktet e para me UÇK-në i ka në muajin mars të vitit 1998, me ushtarët e njësitit “Pëllumbi” të Negrovcit.

Më 1 qershor të vitit 1998, filloi ushtrimet ushtarake në shkollën e Arllatit, mirëpo nuk arriti t’i përfundonte sepse ishte nisur për të marrë armatim në Shqipëri, më 5 korrik të vitit 1998. Pas kthimit nga Shqipëria së bashku me Bujar M. Bytyçin dhe Naser A. Bytyçin, më 15 korrik 1998, ishte kyçur në njësitin “Pëllumbi”, në Negrovc.

Sylejmani ishte vendosur në pozicione në Grykë të Llapushnikut më 22 korrik 1998 dhe mori pjesë në luftimet e zhvilluara në këtë zonë më 25 korrik.

Ishte pjesëtar në skuadrën e dytë të togut të parë i kompanisë së parë të njësitit “Pëllumbi I”, ku komandant kompanie ka qenë Fadil Gashi, komandant toge ishte Besim Krasniqi (tani dëshmor) dhe komandant i skuadrës së dytë ka qenë Barlet Gashi.

Pas thyerjes së Grykës, ai ishte kthyer në Lagjen e Bytyçëve, në detyrën e ushtarit, ku mori pjesë në disa aksione kundër forcave serbe të pozicionuara përreth Arllatit.

Më datë 15 gusht 1998, së bashku me Mehdi Bytyçin (tani dëshmor), kishin sulmuar pozicionin e forcave serbe të pozicionuara në shtëpinë e Ramiz Bytyçit, që ndodhej pranë rrugës Prishtinë – Malishevë. Më datë 5 nëntor 1998 kishte marrë pjesë në sulmin ndaj forcave serbe në lagjen e Xhamisë dhe ishte vendosur në këtë lagje me ndihmën e ushtarëve të kësaj pike.

Më 29 nëntor të vitit 1998, ai kalon në Divjakë, në ushtrimet speciale pranë Shtabit të Përgjithshëm. Komandant ishte Naser Hoxha (Gjermani), komandant toge ishte Kujtim Krasniqi, ndërsa epror ushtarak ishte Tahir Sinani (ushtrimet taktike, helmet kimike dhe mbrojtjen e afërt), Fadil Zejnullahu (eksplozivët dhe minat), Muharrem Sylejmani (hartat dhe orientimin), Ajvaz Berisha (ushtrimet fizike).

Më 19 janar 1999, kaloi prapë në Brigadës 121 “Kumanova”, në njësitin special “Arbëri”, me bazë në Kleçkë, ku u dallua për guxim, trimëri dhe iniciativa diverzanto-vëzhguese. Komandant i njësitit ishte Refki Mazrreku.

Aty Sylejmani shquhej për aftësitë e tij vëzhguese në të gjitha detyrat që i ngarkoheshin.

Ishte një strateg i jashtëzakonshëm dhe dinte t’i planifikonte mirë pritat, e kjo si bazë kishte mësimet e Tahir Sinanit.

Me 24 mars 1999 ndodhej në udhëheqje të skuadrës prej 9 ushtarësh të njësitit “Arbëri”, në lagje të Bytyçëve, në pritë të forcave serbe, tek varrezat e Bytyçëve, e deri tek rruga Malishevë-Prishtinë.

Më 26 mars ishte organizuar një sulm i fuqishëm kundër forcave serbe në lagjen e Bujupëve, në Arllat, ku atë ditë Sylejmani kishte treguar përgatitjet dhe shkathtësitë e tij maksimale.

Prej 26 deri më 29 mars ndodhej në luftime që shtriheshin prej Arlatit deri në Terpezë, ku ishte udhëheqës i një grupi të ushtarëve të njesitit Arbëri, pastaj qëndron në laxhe të Bytyqëve në ndihmë ushtarëve të pikes së Bytyqëve në cilësinë e udhëheqësit.

Gjatë kësaj kohe. ai ndihmoi dhe punoi në asgjësimin e forcave serbe, e kjo vërtetohet në aksionin e marrë më 9 prill 1999, në rrugën Prishtinë- Malishevë, pranë lagjes së Bytyçëve, ku arriti t’i asgjësojë dy serbë të uniformuar, e njëri ndër ta ishte oficer i lartë serb. Në atë aksion të përpiluar mirë kanë marrë pjesë edhe Mehdi Bytyçi, Arben Bytyçi dhe Osman Krasniqi, ndërsa një pjesë e ushtarëve të tjerë kanë mbrojtur krahët.

  • Rënia heroike

Në lagjen e Bytyçëve, Sylejmani qëndroi deri më 16 prill 1999, ku forcat e UÇK-së u përballen me një ofenzivë të madhe të forcave serbe.

Atë ditë rreth orës 10:00 të mëngjesit, qëndruan në lagje për të luftuar serbët Sylejman Bytyçi, Mehdi Bytyçi, Arben Bytyçi dhe Sami Gashi (Llapushnik).

Luftimet kanë qenë shumë të ashpra, ku është luftuar për çdo pëllëmbë të lagjes.

Sylejmani është plagosur duke e tërhequr Mehdiun e plagosur rëndë, i cili edhe kishte vdekur pastaj në krahët e tij.

Sylejmanin e plagosur e kishin tërhequr pastaj Arben Bytyçi dhe Sami Gashi deri mbi lagje, ku në fund të tërheqjes prej të gjithëve kishin mbetur vetëm pesë fishekë.

Aty i ishte dhënë ndihma e parë nga Mentor Morina (dëshmor), i cili kishte ardhur në ndihmë së bashku me shokë të tjerë të njësitit “Arbëri”.

Më 17 prill 1999 ishte dekoruar nga shtabi i Brigadës 121 “Kumanova” për trimëri dhe si ushtar i dalluar për suksese në luftë kundër armikut.

Plaga e marrë nga serbët në këtë aksion nuk mund të shërohej në ato kushte të luftës dhe i plagosur qëndroi në Spitalin Ushtarak të Divjakës, prej nga pastaj e nisin për të kaluar në Zonën e Nerodimës, mirëpo nuk mundi që të mbijetonte tërë udhëtimin dhe ndërroi jetë më 29 prill 1999, në fshatin Krojmir.

Pas vdekjes, armët e tij nuk qëndruan kot, por me to u armatos vëllai i madh i tij, Musliu, për ta vazhduar deri në fund amanetin e të vëllait.

  • Pas rënies heroike

Varrimi i tij është bërë me nderime ushtarake më 30 prill 1999, në varrezat e Kleçkës, për t’u rivarrosur përsëri në varrezat e dëshmorëve po në Kleçkë, në fillim të gushtit të vitit 2000.

Si shenjë kujtimi dhe për të mos i harruar kurrë, emrat e dëshmorëve Sylejman Bytyçi dhe Mehdi Bytyçi janë nderuar nga bashkëluftëtarët dhe bashkëvendasit.

Ata janë përkujtuar në pllakën memoriale te lagjja Bytyçi, e cila gjendet e vendosur në magjistralen Komoran – Malishevë. Ndërkaq, familja e dëshmorit ka pranuar mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës dhe Qendra për Punë të Jashtme e UÇK-së.