Xhevat Muharrem Sejfijaj (08.05.1972-11.09.1998), një prej udhëheqësve të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dallohet për guxim dhe trimëri që shfaqte prej ditës së parë të angazhimit të tij deri në momentin e rënies heroike. Ai mbahet mend si një ushtar i papërtueshëm, i përkushtuar plotësisht për lirinë e popullit të tij.
-Jetë e Familje
Xhevat Sejfijaj lindi më 8 maj 1972, në fshatin Gllogjan të Deçanit. I pari nga nëntë fëmijë, ai rritet në një familje me tradita dhe vlera të forta. Edhe pse u privua nga mundësia për të vazhduar shkollimin pas shkollës së mesme për shkak të kushteve ekonomike, ai u angazhua në punë bujqësore për të mbështetur familjen.
-Veprimtaria
Në fillim të viteve ’90, Xhevat u bë pjesë e protestave dhe demonstratave kundër shtypjes në Kosovë. Pas ofensivës serbe në vitin 1998, ai u bashkua me radhët e UÇK-së, duke shërbyer në frontin e luftës në zona si Baballoç, Gramaçel, Shaptej, Prejlep, Rastavicë, Carrabreg dhe Gllogjan. Gjatë betejave në këto zona, tregoi guxim dhe vendosmëri të rrallë, duke luftuar me trimëri kundër forcave serbe edhe në situata më të vështira.
-Rënia Heroike
Më 11 shtator 1998, në një betejë vendimtare në Bjeshkën e Belegut, Xhevat Sejfijaj bëri gjithçka për të mbrojtur popullin e tij. Bashkë me dy bashkëluftëtarë të tjerë, u përball me forcën e armatosur serbe dhe ra dëshmor, duke lënë pas një trashëgimi të madhe heroike.
-Pas Renies Heroike
Familja e Xhevat Sejfijajt është nderuar me mirënjohje të shumta për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës. Heroizmi i tij është përjetësuar nëpërmjet këngëve dhe shkrimeve të shumta, ndërsa një pllakë përkujtimore është ngritur në vendin e rënies së tij si shenjë respekti dhe nderimi për të. Varri i tij, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan, mbetet si një dëshmi e përhershme e sakrificës së tij për lirinë.